Ban Ki Moon sfidon Barack Obamën në lojën e golfit

Bota

Ban Ki Moon sfidon Barack Obamën në lojën e golfit

Më: 21 shtator 2016 Në ora: 17:49
Barack Obama, Ban Ki Moon

Presidenti amerikan, Barack Obama dhe sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon përshëndetën dje njëri-tjetrin dhe bënë shaka lidhur me daljen në pension, gjatë një dreke që shënon herën e fundit për dy udhëheqësit, që marrin pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, në postet e tyre aktuale.

Për herë të parë në histori, mandatet e të dy posteve, ajo e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së dhe presidentit amerikan, do të përfundojnë vetëm 20 ditë larg nga njëri-tjetrit, respektivisht në fund të vitit 2016 dhe në fillim të 2017.

“Zoti president, ne duhet të mendojmë për atë se çfarë ne do të bëjmë, ju dhe unë personalisht, pas daljes tonë në pension”, tha Ban.

“Ju sfidoj me një ndeshje golfi, ndoshta, por ju lutem mos më sfido me një lojë basketbolli”, shtoi ai.

Në një koment më serioz, Ban ka falënderuar Obamën për mbështetjen e tij ndaj Kombeve të Bashkuara gjatë viteve të fundit.

“Përpjekjet, politika si dhe gjithë mbështetja juaj kanë bërë që çështjet e Kombeve të Bashkuara të avancojnë, të përmirësohen ndërkohë që keni mbështetur qëllimet dhe vlerat tona të përbashkëta si lirinë, barazinë, demokracinë dhe paqen”, u shpreh Ban.

Obama vlerësoi Ban për udhëheqjen e shquar të tij të OKB-së, duke theksuar se rrugëtimi jetësor i tij ka qenë një shembull për shumë persona.

“Ju keni bërë një udhëtim të jashtëzakonshëm, i lindur në një fshat në Korenë e Jugut dhe duke u rritur në nivelet më të larta të udhëheqjes globale”, tha Obama.

“Kjo është një dëshmi e guximit dhe optimizmit si dhe e imagjinatës dhe vullnetit që karakterizon personalitetin tuaj”, shtoi presidenti amerikan.

Ban pritet të përfundojë mandatin e tij të OKB-së në fund të këtij viti, pas dy mandateve pesëvjeçare duke filluar në vitin 2006.

Mandati i dytë i Obamës si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të përfundojë më 20 janar 2017, pas tetë vitesh në detyrë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat