Legjislativet në Mal të Zi, duel në distancë NATO-Rusi

Bota

Legjislativet në Mal të Zi, duel në distancë NATO-Rusi

Më: 16 tetor 2016 Në ora: 17:27
Ilustrim

Aderimi në NATO dhe BE është në qendër të legjislativeve që zhvillohen sot në Mal të Zi, një tjetër episod i luftës së influnecës që po zhvillohet mes perëndimorëve dhe rusëve në Ballkan.

Në pushtet prej 25 vitesh në republikën e vogël të Adriatikut, të banuar nga 620 000 banorë, që e dërgoi drejt pavarësisë në vitin 2006, Milo Gjukanoviç, ka zgjedhur drejtimin e një Mali të Zi që negocion për aderim në BE (2012) dhe në NATO (2015).

Kjo kërkesë për aderim vjen pas shumë vendimesh të tjera që nuk i kanë pëlqyer Moskës, kur Podgorica ishte një nga kryeqytetet e para që njohu pavarësinë e Kosovës në vitin 2008, para se t’i bashkohej në vitin 2014 politikës së sanksioneve ekonomike kundër Rusisë gjatë krizës ukrainase.

I zhveshur nga ambiguiteti, zgjedhja atlantiste e këtij kombi me shumicë ortodokse, i vlen Gjukanoviçit të konsiderohet si nxënësi i mirë i Perëndimit në Ballkan, por Moska ka paralajmëruar disa herë kundër pasojave të mundshme që implikon futja e Podgoricës në NATO.

Madje manifestime të dhunshme ishin zhvilluar në vitin 2015 në rrugët e Podgoricës, por pa tronditur shefin e qeverisë që refuzon një referendum mbi këtë çështje. Sipas sondazheve të ndryshme, aderimi në BE ka mbështetjen e shumicës së malazezëve, por kjo nuk vlen për aderimin në NATO ku shumica duket se janë kundër.

Partia Demokrate e Socialistëve (DPS) e Milo Gjukanoviçit pritet të fitojë sërish, por këtë herë njeriu i fortë i Malit të Zi me sa duket duhet të mjaftohet me një maxhorancë relative.

Sondazhet mbi votimet ende nuk janë publikuar, por sipas disa rezultatesh konfidenciale DPS-ka pritet të arrijë rreth 40 për qind të votave. Ajo duhet të kërkojë mbështetjen e partive që pëfaqësojnë minoritetet kroate, shqiptare dhe bosniake.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat