Obama: Amerika do të vazhdojë bashkëpunimin me botën

Bota

Obama: Amerika do të vazhdojë bashkëpunimin me botën

Më: 17 nëntor 2016 Në ora: 19:45
Presidenti amerikan Barack Obama dhe kancelarja gjermane Angela Merkel në konferencë të përbashkët shtypi në Berlin.

(E plotësuar) - Kancelarja gjermane, Angela Merkel, gjatë një konferencë të përbashkët shtypi me Presidentin amerikan Barak Obama, tha se Gjermania është e gatshme të rris shërbimin e tyre ushtarak me kërkesë të aleatëve, veçmas të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Siç raporton AP, NATO-ja ka kritikuar prej kohësh Gjermaninë për dështimin në përmbushjen e detyrimeve që të ndajë të paktën dy për qind të GDP-së në fushën e mbrojtjes, e cila është arsyeja pse kryetari i sapo zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump gjatë fushatës i ka bërë thirrje Gjermanisë dhe vendeve tjera evropiane, për të përmbushur detyrimet ndaj NATO-s, ose në të kundërtën SHBA mund të tërheq trupat e saj nga Evropa, për shkak të shpenzimeve të mëdha.

"Ne kemi marrë mesazhin dhe do të fillojmë të reagojmë", tha Merkel në konferencën e mbajtur në Berlin.

Kurse, Presidenti i SHBA-ve në largim, Barack Obama tha se angazhimi Trumpit për NATO-n ishte shumë i rëndësishëm.

Kur është fjala për Ukrainën dhe Sirinë, Obama tha se Shtetet e Bashkuara kanë dallime të rëndësishme me Rusinë dhe ka shtuar se ai shpreson që Tramp do të vazhdojë të kundërshtojë Rusinë, pasi aty ndahen vlerat amerikane dhe normat ndërkombëtare.

Obama tha se Bashkimi Evropian mbetet një nga arritjet më të mëdha në botë dhe duhet të kultivohet edhe më tej.

Ndryshe, Gjermania ka kohë që është duke bërë thirrje për krijimin e një force mbrojtëse të Bashkimit Evropian, për të përballur kërcënimet që vinë nga Rusia, por Britania ka kundërshtuar një kërkesë të tillë, duke thënë se krijimi i kësaj force ushtarake do të dobësonte NATO-n.

Dje edhe kryeministri i Danimarkës është pajtuar që të rris investimet në ushtri në 2 përqind të GDP-së.

Obama: Amerika do të vazhdojë bashkëpunimin me botën

Presidenti Barack Obama përcolli të enjten në Evropë mesazhin e unitetit dhe bashkëpunimit të pandërprerë me Amerikë. Ai theksoi para gjermanëve dhe para të gjithë evropianëve se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë bashkëpunimin me botën.

“Aleanca jonë me partnerët e NATO-s ka qenë gurëthemeli i politikës së jashtme amerikane për afro 70 vjet,” tha zoti Obama gjatë një konference të përbashkët për shtyp me kancelaren Angela Merkel. Ai vlerësoi Gjermaninë si një “partnere e besueshme në arenën globale” dhe shprehu kënaqësinë që të dy vendet kishin mbështetur marrëveshjen e Parisit për ndryshimet klimatike.

Presidenti Obama zgjodhi Gjermaninë si ndalesën kryesore të turneut të tij të fundit para se të largohet nga Shtëpia e Bardhë mandatin. Gjermania është ekonomia më e madhe e Evropës dhe partneri kryesor evropian në shkëmbimet tregtare me Shtetet e Bashkuara, një anëtare e rëndësishme e NATO-s dhe një vend ku Amerika ka dislokuar mijëra trupa të saj.

Vëzhguesit kanë aluduar se kancelarja gjermane mund të marrë rolin e zërit më liberal në Evropë, ku rrymat nacionaliste janë forcuar vitet e fundit.

Kjo është hera e gjashtë që Presidenti Obama ka vizituar Gjermaninë gjatë mandatit të tij. Para mbërritjes në Gjermani ai përcolli një mesazh të fortë ku nënvizonte angazhimin e Amerikës për bashkëpunim me Evropën.

“Nuk do të ketë kthim në botën para globalizimit,” shpreheshin zoti Obama dhe zonja Merkel në një shkrim të botuar në revistën e përjavshme gjermane WirtschaftsWoche, para mbërritjes së presidentit amerikan në Gjermani. “Këto vlera -- demokracia, drejtësia dhe liria -- formojnë themelet e ekonomive tona të suksesshme. Ua kemi borxh ekonomive dhe popujve tanë, por edhe mbarë komunitetit global, të thellojmë dhe zgjerojmë bashkëpunimin tonë,” shkruanin dy udhëheqësit.

Mesazhi i zotit Obama synonte të siguronte udhëheqësit evropianë, të cilët i kanë përcjellë me shqetësim zhvillimet e fundit që disa i shohin si parathënie e kthimit të Amerikës drejt izolacionizmit, sidomos pas komenteve të zotit Donald Trump gjatë fushatës presidenciale.

Presidenti i zgjedhur gjatë fushatës së tij pat vënë në pikëpyetje rëndësinë e NATO-s, pat lavdëruar votën e britanikëve për të dalë nga Bashkimi Evropian dhe ka kritikuar politikat e Kancelares Merkel për pranimin në Evropë të qindra mijëra imigrantëve, pjesa më e madhe e tyre myslimanë.

Analistët thonë se thirrjet e zonjës Merkel për kuota për pranimin e imigrantëve në vendet e BE-së rritën përkrahjen për lëvizjet nacionaliste në të gjithë Evropën, përfshirë Gjermaninë dhe ishin një ndër faktorët që sollën votën për daljen nga BE-ja në Britani.

Presidenti Obama u takua me zonjën Merkel pak pasi mbërriti të mërkurën në Berlin. Udhëheqësi amerikan u ndal në fillim të turneut në Greqi, ku të mërkurën mbajti një fjalim në të cilin theksoi angazhimin e Amerikës ndaj demokracisë në botë. Para fjalimit ai kishte vizituar Akropolin, një simbol i demokracisë perëndimore.

Zoti Obama përgëzoi popullin grek për humanizmin që treguan në përgjigje të fluksit të refugjatëve, megjithë vështirësitë ekonomike me të cilat përballet vendi i tyre si rezultat i krizës së borxhit.

Të premten zoti Obama do të takohet me udhëheqës të Britanisë, Francës, Italisë dhe Spanjës para se të niset për në Peru ku do të marrë pjesë në Takimin për Bashkëpunim Ekonomik në Azi-Paqësor.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat