Qeveria britanike e vendosur të presë Trumpin

Bota

Qeveria britanike e vendosur të presë Trumpin

Më: 1 shkurt 2017 Në ora: 18:31
Donald Trump, Theresa May

Për kundër kritikave dhe protestave, Qeveria britanike ka bërë të ditur se nuk do ta tërheqë prapa ftesën për Presidentin amerikan, Donald Trump dhe se vizita e tij do të realizohet këtë vit.

Zëdhënësi i Qeverisë britanike ka thënë se ende vlen ftesa për vizitë shtetërore, të cilën kryeministrja britanike Theresa May ia bëri Presidentit amerikan Trump gjatë vizitës së saj në SHBA gjatë javës së kaluar.

"SHBA-të janë partner dhe aleat i rëndësishëm i Britanisë. Ne punojmë nga afër dhe kemi marrëdhënie të fuqishme. Është me rëndësi që të krijojmë lidhje të fuqishme me administratën e re amerikane. Natyrisht që njerëzit kanë të drejtë të protestojnë kundër kësaj, megjithatë ftesa jonë vlen ende. Ne presim që vizita e Presidentit amerikan të realizohet këtë vit", ka thënë zëdhënësi, duke shtuar se ende nuk është saktësuar data e vizitës. Ai ka theksuar se janë duke zhvilluar punime për planifikimin e vizitës.

Gjatë brifingjeve javore për media nga kabineti i kryeministres britanike, nuk lejohet përdorimi i emrit të zëdhënësit në lajme.

Ndryshe, kryeministrja britanike May është përballur me kritikën se ka vepruar me nxitim duke e ftuar Trumpin ta vizitojë Britaninë. Në peticionin e inicuar në Parlamentin Britanik për tërheqjen e ftesës deri më tani janë mbledhur shumë nënshkrime.

Në Britani janë duke u organizuar protesta kundër Donald Trumpit, i cili ka shkaktuar reagime në gjithë botën me dekretin për ndalesën e vizave për shtetasit nga disa vende myslimane.

 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat