OKB: IS-i ka humbur territor, të ardhura dhe aftësi rekrutimi

Bota

OKB: IS-i ka humbur territor, të ardhura dhe aftësi rekrutimi

Më: 7 shkurt 2017 Në ora: 10:45
Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres

I sulmuar nga të gjitha anët, grupi militant Shteti Islamik është duke humbur territor, të ardhura dhe kapacitete për të tërhequr rekrutë, thuhet në një raport të Kombeve të Bashkuara.

Raporti i paraqitur nga sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, megjithatë, paralajmëron se militantët janë “duke u përshtatur pjesërisht” me humbjet në fushëbetejë dhe duke nxitur ndjekësit të kryejnë sulme në Perëndim.

Shteti Islamik ka humbur “numër të madh të luftëtarëve dhe terrtore”, thuhet në raport.

Forcat irakiane janë duke bërë përparim në ofensivën e tyre për rikthimin e Mosulit, ndërsa forcat qeveritare të Sirisë, militantët kurdë dhe forcat rebele, të mbështetura nga Turqia, janë duke bërë përparim në territorin e Sirisë.

Financat e Shtetit Islamik janë po ashtu në rënie dhe kanë detyruar grupin militant të veprojë me një “krizë buxhetore”, thotë raporti i OKB-së.

Shitjet e paligjshme të naftës, kryesisht nga fushat e naftës në Siri, kanë rënë nga 500 milionë dollarë në vitin 2015 në 260 milionë vitin e kaluar.

Raporti paralajmëron se Shteti Islamik mund të përpiqet të nxjerrë të ardhura nga rrëmbimi i gazetarëve apo punonjësve të ndihmës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat