Kremlini mban distancë nga kontesti për prokurorin Sessions në SHBA

Bota

Kremlini mban distancë nga kontesti për prokurorin Sessions në SHBA

Më: 2 mars 2017 Në ora: 18:49
Dmitry Peskov, zëdhënës i presidentit të Rusisë, Vladimir Putin

Kremlini po synon të mbajë distancë nga kundërthënia në Shtetet e Bashkuara, lidhur me takimet e prokurorit të përgjithshëm amerikan, Jeff Sessions, me ambasadorin e Rusisë, Sergei Kislyak, gjatë fushatës presidenciale të vitit 2016 në SHBA.

Dmitry Peskov, zëdhënës i presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, u tha sot reporterëve në Moskë se nuk është i vetëdijshëm për takime të tilla, por edhe nëse këta dy persona kanë biseduar, ajo ka qenë çështje rutinore.

“Nuk kam njohuri për çfarëdo takimi, derisa puna e ambasadorit përfshinë mbajtje të më shumë takimeve të mundshme, përfshirë me autoritetet ekzekutive dhe legjislative në vendin ku ai ndodhet”, tha Peskov, dhe ka shtuar se “nuk është kokëdhimbje e jona”.

Jeff Sessions, që ishte këshilltar i fushatës së Donald Trumpit, është pyetur gjatë dëgjimit konfirmues në Senat në muajin janar, nëse “çfarëdo personi i ndërlidhur” me fushatën ka pasur kontakte me rusët. Ai tha se nuk “ishte i vetëdijshëm” për ndonjë takim.

Dështimi i tij për t’i përmendur dy takimet e tij me Kislyakun ka ndikuar që ligjvënësit demokratë të kërkojnë dorëheqje të zotit Sessions ose të tërhiqet nga hetimi i Departamentit të drejtësisë për dyshimet lidhur me ndërhyrjen ruse në zgjedhjet amerikane.

Sessions e ka hedhur poshtë çfarëdo keqbërjeje dhe dje tha se “asnjëherë nuk është takuar me zyrtarë rusë për të diskutuar çështje të fushatës”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat