Ushtria e Sirisë: Gjashtë të vrarë nga operacioni amerikan

Bota

Ushtria e Sirisë: Gjashtë të vrarë nga operacioni amerikan

Më: 7 prill 2017 Në ora: 18:45
USS Ross

Komanda e armatës siriane njofton për së paku gjashtë ushtarë të saj të vrarë në goditjen me raketa të Shteteve të Bashkuara të Amerikës mbi një bazë ajrore të regjimit sirian në Homs, transmeton Anadolu Agency (AA).

Kumtesa e publikuar në televizionin shtetëror të Sirisë, ka përshkruar goditjen amerikane si “një agresion i cili shkel të gjitha ligjet dhe rregullat ndërkombëtare, si dhe synon të dobësojë aftësitë e Ushtrisë Siriane Arabe në luftën e saj kundër terrorizmit”.

Në kumtesë thuhet më tej: "Komanda e ushtrisë siriane dënon vazhdimësinë e strategjisë së gabuar të SHBA-ve e cila rrezikon operacionet anti-terroriste të cilat aktualisht kryhen nga Ushtria Siriane Arabe”.

Më herët agjencia shtetërore siriane e lajmeve SANA raportoi, duke cituar burime ushtarake siriane, se "një nga bazat tona ajrore në Sirinë qendrore është sulmuar nga Amerika para lindjes së diellit. Sulmi ka shkaktuar vdekje".

Pentagoni konfirmoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) kanë goditur me 59 raketa Tomahawk një bazë ajrore të ushtrisë siriane, për të cilën zyrtarët amerikanë besojnë se është përdorur për të kryer sulmin vdekjeprurës kimik të martën.

Raketat ishin shkrepur nga dy shkatërruesit e SHBA-ve në Mesdheun lindor dhe goditën bazën ajrore ku për objektiv kanë pasur avionët, strehimoret e avionëve, naftën dhe logjistikën, bunkerët për furnizim me municion, sistemet e mbrojtjes ajrore dhe radarët. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat