Tensioni nuk ka kaluar, Koreja e Veriut sfidon SHBA me veprimin e saj të fundit

Bota

Tensioni nuk ka kaluar, Koreja e Veriut sfidon SHBA me veprimin e saj të fundit

Më: 18 prill 2017 Në ora: 07:46
Kim Jong Un

Koreja e Veriut do të vazhdojë të testojë raketa ballistike, pavarësisht kritikave ndërkombëtare dhe rritjes së tensionit ushtarak me SHBA.

Kështu deklaroi zëvendës ministri i jashtëm koreano-verior, Han Song-Ryol për BBC, duke shtuar se Peniani do të bëjë teste raketash çdo javë, muaj dhe vit. Megjithatë, ai nënvizoi se lufta do të vijë vetëm nëse SHBA ndërmerr aksione ushtarake. 

Komentet e zëvendës ministrit Han u cilësuan nga ekspertët si një përgjigje e qeverisë komuniste ndaj paralajmërimit të zëvendës presidentit amerikan Mike Pence se Koreja e Veriut bën mirë të mos vërë në provë SHBA. 

Sipas Pence, durimi amerikan me Korenë e Veriut ka marrë fund. Pence i bëri këto komente nga Koreja e Jugut, pikërisht nga zona e cmilitarizuar mes dy fqinjëve armiqësorë. Numri dy i administratës amerikane pasi garantoi Korenë e Jugut për mbështetjen e palëkunduar amerikane, tha se vendosmëria e presidentit Trump u pa qartë gjatë dy javëve të fundit me sulmet në Siri dhe Afganistan, prandaj dhe Koreja e Veriut bën mirë të mos gabojë. 

Sfida dhe kërcënime, si këto të fundit, nga Koreja e Veriut nuk janë asgjë e re në sjelljen e vendit më të izoluar në botë, ndërsa ekspertët thonë se pavarësisht propagandës, koreanoveriorët janë ende larg zhvillimit të raketave balistike ndërkontinentale dhe armëve bërthamore. Sidoqoftë, dëshira nuk i mungon aspak dhe pikërisht këtë po përpiqet të frenojë komuniteti ndërkombëtar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat