Reforma në shëndetësi, republikanët përballë një dështimi tjetër

Bota

Reforma në shëndetësi, republikanët përballë një dështimi tjetër

Më: 18 korrik 2017 Në ora: 15:17
Mitch McConnell

Përpjekjet më të fundit republikane për të reformuar sistemin e kujdesit shëndetësor në Shtetet e Bashkuara dështuan të hënën pasi dy senatorë të tjerë republikanë thanë se nuk do të mbështesnin projektligjin e paraqitur javën e kaluar nga udhëheqësi i shumicës në senat, Mitch McConnell. Me vetëm 52 vende në senatin amerikan me 100 vende, republikanët mund të përballonin humbjen e vetëm dy votave për të miratuar projektligjin e tyre që do ta zevëndësonte ligjin e tanishëm të kujdesit shëndetësor. Dyzetë e tetë senatorët demokratë pritej të votonin kundër propozimit republikan.

Ishte dështimi i dytë i njëpasnjëshëm për udhëheqësin e shumicës në senat, Mitch McConnell, i cili u desh të anulonte votimin e një versioni tjetër të projektligjit muajin e kaluar për të shmangur humbjen e sigurt.

Projektligji i Senatit po ashtu përballet me kundërshtime në rritje jashtë Uashingtonit. Guvernatori i Nju Jorkut ka thënë se projektligji i senatit do të ndikonte negativisht miliona njerëz në shtetin e tij.

"Nëse jeni të pasur, ky projektligj nuk ju afrohet juve, ju do të keni alternativa të mira. Por, projekligji nuk ndihmon shtresën e varfër, të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara dhe veteranët. Ata (republikanët) nuk duan të paguajnë për këtë grup njerëzish," tha guvernatori Andrew Cuomo.

Dështimi i fundit i projekt-ligjit të Senatit është një goditje e madhe edhe për Presidentin Donald Trump, pasi ai nuk arriti të siguronte mbështetjen për çështjen kryesore të fushatës së partisë republikane në shtatë vitet e fundit, që nga koha kur Presidenti Barak Obama dhe demokratët miratuar ligjin për kujdesin shëndetësor, Obamacare, apo Ligji për Kujdes me Kosto të Përballueshme./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat