Një taktikë ruse, apo ndryshim real në politikën ndaj Ukrainës?

Bota

Një taktikë ruse, apo ndryshim real në politikën ndaj Ukrainës?

Më: 15 shtator 2017 Në ora: 21:29
ilustrim

Kremlini duket se po bëhet gati për një ndryshim madhor politike për Ukrainën lindore dhe ndoshta po përgatit separatistë lokalë për riintegrimin e rajonit të Donbasit në Ukrainë.

Një faqe internet lajmesh lokale në Donetskin e kontrolluar nga separatistët, njoftoi para disa ditësh se Kremlini ka gjasa të organizojë zëvendësimin e udhëheqësve me lidhje ushtarake të Donbasit me dy ish-ligjvënës ukrainas, të dy ish-aleatë të Presidentit të përmbysur, Viktor Janukoviç, që aktualisht është në arrati në kryeqytetin rus.

Faqja e internetit Novosti Donbassa, njoftoi gjithashtu se Vladislav Surkov, një anëtar me peshë i rrethit të brendshëm të këshilltarëve të Presidentit rus, Vladimir Putin, vizitoi Donetskin muajin e kaluar dhe paralajmëroi udhëheqësit lokale pro-rusë të fillojnë “të përgatiten për ri-integrim” me pjesën tjetër të Ukrainës.

Është gjithashtu për t’u shënuar që në javët e fundit, Vladimir Solovyov, drejtuesi i një emisioni televiziv, i cili mendohet se reflekton pikëpamjet e Kremlinit, ka sugjeruar në këtë program popullor se Rusia do të ishte më mirë pa Donbasin.

Në Kiev, zyrtarët thonë se media ka lënë të kuptohet se po ndodh një ndryshim i ndjeshëm politik, krahas me mbështetjen e prapritur nga ana e Presidentit Putin për dislokimin e forcës paqeruajtëse në Donbas, janë pjesë e një taktike të sofistikuar që ka si synim të bindin hartuesit e politikave amerikane që të mos furnizojnë Ukrainën me armë vdekjeprurëse.

Muajin e kaluar, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, tha se administrata e Presidentit Trump, po shqyrtonte me seriozitet mundësinë për të furnizuar Ukrainën me armë që megjithëse do të ishin mbrojtëse, do të ishin vdekjeprurëse.

Javët e fundit, Shtetet e Bashkuara forcuan në mënyrë të njëanshme regjimin e sanksioneve kundër Rusisë dhe udhëheqësit evropianë kanë ashpërsuar retorikën e tyre ndaj Rusisë, pas sulmeve kibernetike dhe provave gjithnjë e më të shumta se Moska ka bërë përpjekje për të ndikuar në politikën evropiane, me një luftë informative kundër perëndimit.

Por disa analistë mendojnë se mund të bëhet fjalë për një ndryshim të afërt politike.

“Ka një ndjesi se po hapet një dritare për negociata më kuptimplote dhe ky sinjal po dërgohet nga Moska”, argumenton Gwendolyn Sasse, një analiste me Fondacionin “Carnegie”.

Ukraina ka bërë thirrje shpesh për një mision paqeruajtës së Kombeve të Bashkuara, duke thënë se do të shërbente si hap madhor për riintegrimin e të vetëshpallurës Republikë Popullore e Donetskit dhe Luhanskut.

Rusia deri javën e kaluar e kishte kundërshtuar me force një dislokim të tillë, por më 5 shtator, paraqiti një propozim për shqyrtim nga Këshilli i Sigurimit për paqequajtës me armatim të lehtë për të patrulluar në të ashtuquajturën linjë kontakti mes ushtrisë Ukrainase dhe forcave separatist dhe ruse në Donbas.

Reagimi perëndimor ndaj propozimit rus ka qenë hezitues dhe mosbesues. Përgjigjia e të dërguarit të posaçëm amerikan në Ukrainë, Kurt Volker, ka qenë e përmbajtur.

Gjermania ka qenë më optimistja.

Richard Haass, ish diplomat amerikan, president i Këshillit për Marrëdhënie me Jashtë tha se oferta e Presidentit Putin për paqeruajtës mund të jetë fillimi i negociatave. Ai i tha Zërit të Amerikës se “i pëlqen fakti që tani diçka po lëviz”.

Në Kiev, udhëheqësi ukrainas Petro Poroshenko mbajti në një konferencë ndërkombëtare një fjalim të ashpër kundër zotit Putin, duke thënë se kaosi i sotëm në botë filloi me anektimin e Krimesë.

"Historia na meson se Rusisë nuk mund t’i besosh”, tha ai.

Zyrtarët amerikanë thonë se çdo forcë e OKB-së në Lindje të Ukrainës, duhet të patrullojë edhe kufirin rus. Në një telefonatë me kancelaren gjermane, Angela Merkel zoti Putin njoftohet se la të kuptohet se nuk do ta kundërshtonte një gje të tillë.

Mosbesimi perëndimor që diplomatët amerikanë dhe evropianë thonë se i ka bazat tek përpjekjet pa rezultat për zgjidhje deri tani, përputhen me dyshimet e palës ukrainase.

Në vitin 2019, Ukraina pritet të mbajë zgjedhjet presidenciale dhe votuesit e Donbasit mund të jenë vendimtarë në ndryshimin e relievit politik të vendit, nëse kontribuojnë në heqjen e zotit Poroshenko nga posti dhe ndihmojnë në zgjedhjen e një candidature më pro-ruse, sipas Tetiana Popovës, ish-zëvendës ministre informacioni në Ukrainë.

Ajo thotë se sanksionet po e dëmtojnë Presidentin Putin.

“Sanksionet janë shumë problematike për të dhe mund të dojë që të lehtësohet tensioni që ndjehet prej tyre. Ri-integrimi me kushtet e Putinit që do të thotë, një status i posaçëm për Donbasin, do të ishte përçarës në parlamentin ukrainas. Nuk besoj se ka vota të mjaftueshme që kjo të realizohet”, thotë ajo,

Ish- zyrtari ukrainas i zbulimit, Alexey Arestovich bie dakord se presidenti Putin do çtensionim të gjendjes para zgjedhjeve presidenciale, vitin e ardhshëm.

“Republikat e Donbasit po bëhen një kosto e lartë financiare për të dhe ai i druhet një vale tjetër sanksionesh. Prandaj ai do që t’i bëjë një lëshim perëndimit, në mënyrë që ata të mos sulmojnë atë por të grinden me njëri-tjetrin”./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat