Kongresi në pritje të vendimit mbi marrëveshjen me Iranin - Bota Sot
Kongresi në pritje të vendimit mbi marrëveshjen me Iranin

Bota

E diel, 17 dhjetor 2017

Kongresi në pritje të vendimit mbi marrëveshjen me Iranin

Më: 12 tetor 2017 Në ora: 20:52
Donald Trump

Presidenti Donald Trump pritet të njoftojë së shpejti se Irani nuk po e respekton Marrëveshjen Bërthamore të vitit 2015, të negociuar nga paraardhësi i tij Barak Obama, që ka për synim frenimin e programit bërthamor të Iranit. Vendimi i Presidentit Trump do të shoqërohej me një afat kohor prej 60 ditësh që Kongresin të vendosë mbi hapat e ardhshëm në lidhje me Teheranin. Vendimi i Presidentit mund t’i vërë ligjvënësit amerikanë në një pozicion të vështirë.

Presidenti Trump ka bërë një paralajmërim ndaj Iranit.

"Marrëveshja me Iranin mund të jetë një nga marrëveshjet më të këqija. Nëse kjo marrëveshje nuk respektohet ashtu siç është parashikuar, atëherë Irani do të përballet me probleme të mëdha".

Fati i marrëveshjes mund të varet nga Kongresi. Por disa ligjvënës të partisë së Presidentit thonë se është më mirë të punohet me atë që është tashmë në fuqi.

"Pavarësisht të metave që kjo marrëveshja ka, unë besoj se ne duhet ta zbatojmë atë",thotë Ed Royce, Kryetar i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Politikën e Jashtme.

Nëse ka pikëpyetje për këtë marrëveshje dyvjeçare, ligjvënësi Royce thotë se Shtëpia e Bardhë duhet të udhëheqë përpjekjet për hapat e ardhshëm.

"Është kritike që presidenti të paraqesë fakte. Ai duhet ta sqarojë vendimin e tij. Dhe pastaj, shpresoj se presidenti do të përcaktojë një rrugë të përgjegjshme për t'u përballur me gamën e plotë të kërcënimeve".

Por një largim nga marrëveshja e Iranit mund t’i jap një goditje serioze reputacionit të Amerikës, paralajmërojnë ligjvënësit demokratë.

"Shtetet e Bashkuara duhet ta mbajnë fjalën. Nëse ne tërhiqemi nga marrëveshja tani, Irani do të jetë i lirë ndaj kufizimeve për programin e tij dhe inspektimet e bazuara në marrëveshjen bërthamore", thotë ligjvënësi demokrat, Eliot Engel.

Kjo mund të ketë ndikim tek krizat në mbarë globin, tha një ish-zyrtar i administratës Obama para Kongresit.

"Largimi nga marrëveshja do të kishte ndikim negativ në lidhje me Kinën dhe me çdo përpjekje për të negociuar me Korenë e Veriut. Përpjekja për ta bindur Korenë e Veriut të nënshkruajë një marrëveshje mbi programin e vet bërthamor do të dukej qesharake, nëse heqim dorë nga marrëveshja bërthamore me Iranin", thotë ish këshilltari i sigurisë kombëtare, Jake Sullivan.

Vetëm një javë më parë, Sekretari i Mbrojtjes, Jim Mattis i tha Kongresit se Shtetet e Bashkuara nuk duhet të heqin dorë nga marrëveshja.

Vendimi i presidentit është komplikuar nga mendimet e ndryshme nëse Irani është duke zbatuar marrëveshjen.

Administrata Trump e ka çertifikuar dy herë zbatimin e marrëveshjes nga iranianët, por një analist i sigurisë kombëtare thotë se çështja është se si të gjendet një mënyrë për ta liruar presidentin nga një marrëveshje që nuk i ka pëlqyer kurrë.

"Nuk është e qartë për mua në se Kongresi vërtetë dëshiron të përfshihet në një përpjekje të vështirë për t'i bërë presion Iranit të rinegociojë marrëveshjen. Të them të drejtën, unë dyshoj se shumë ligjvënës e dinë që Irani nuk do të rinegocionte",thotë Josh Rovner, profesor në Universitetin Amerikan.

Ndërsa alternativat e Kongresit mund të përfshijnë vendosjen e sanksioneve, vendimi nuk është në duart e tyre.

"Në fund të fundit, unë do të bëj atë që është e drejtë për Shtetet e Bashkuara, dhe çfarë është e drejtë për botën. Ky është një problem botëror, nuk ka të bëjë vetëm me Shtetet e Bashkuara, ky është një problem botëror që duhet zgjidhur" tha Presidenti Trump.

Edhe pse ky problem ka vetëm disa zgjidhje të lehta./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test