Papa Françesku bën thirrje për veprim lidhur me ndryshimet klimatike dhe konfliktet, si zgjidhje për të adresuar migracionin

Bota

Papa Françesku bën thirrje për veprim lidhur me ndryshimet klimatike dhe konfliktet, si zgjidhje për të adresuar migracionin

Më: 16 tetor 2017 Në ora: 16:59
Papa Françesku dhe José Graziano da Silva

Papa Françesku i bëri thirrje qeverive në mbarë botën që të bashkëpunojnë për ta shndërruar migrimin në një zgjedhje më të sigurt dhe vullnetare, duke argumentuar se arritja e sigurisë ushqimore për të gjithë, kërkon adresimin e ndryshimeve klimatike dhe dhënien fund konflikteve. Ai e bëri këtë thirrje në ceremoninë globale për të shënuar Ditën Botërore të Ushqimit, mbajtur në selinë qendrore të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO). Tema e këtij viti fokusohet në adresimin e migracionit përmes investimit në sigurinë ushqimore dhe zhvillimin rural. 

“Është e qartë se luftërat dhe ndryshimet klimatike janë një nga shkaqet e urisë, prandaj mos ta paraqesim sikur uria është një sëmundje e pashërueshme ", tha Papa gjatë fjalës së tij kryesore.

Ai bëri thirrje për një angazhim të plotë për çarmatim gradual dhe sistematik, dhe kërkoi një ndryshim në mënyrën e jetesës, përdorimin e burimeve, prodhimin dhe konsumimin e ushqimit për të mbrojtur planetin.

Duke iu referuar zhvillimit të Paktit Global për Migracionin e Sigurt, të Rregullt dhe të Mirërregulluar  - marrëveshja e parë e këtij lloji e negociuar nga qeveritë nën kujdesin e OKB-së - tha ai, "Menaxhimi i lëvizshmërisë njerëzore kërkon një veprim të koordinuar dhe sistematik ndërqeveritar në përputhje me normat ekzistuese ndërkombëtare, dhe plot dashuri dhe zgjuarsi". 

"Ajo që është në rrezik është besueshmëria e të gjithë sistemit ndërkombëtar," shtoi ai.   

Ai tha gjithashtu se ishte për të ardhur keq që "disa" vende po largohen nga Marrëveshja e Parisit mbi ndryshimet klimatike. 

Ndryshoni të ardhmen e migrimit

Çdo vit miliona njerëz largohen nga shtëpitë e tyre për t'i shpëtuar urisë, varfërisë dhe konfliktit.

"Gjithnjë e më shumë njerëz migrojnë sepse nuk kanë mundësi të qëndrojnë në shtëpitë dhe tokat e tyre", tha drejtori i përgjithshëm i FAO, José Graziano da Silva.

"Qëllimi ynë është që të adresojmë shkaqet rrënjësore të migracionit, si varfëria, pasiguria ushqimore, pabarazia, papunësia dhe mungesa e mbrojtjes sociale. Për të shpëtuar jetën, ne duhet të rindërtojmë mjedisin në të cilin jetojnë njerëzit, duke përforcuar elasticitetin e tyre dhe duke siguruar jetesën për t'u ofruar atyre mundësinë e një mënyre dinjitoze të jetës ", tha ai.

Dita Botërore e Ushqimit po shënohet këtë vit, pasi për herë të parë në më shumë se një dekadë është rritur uria në botë, duke ndikuar 815 milionë njerëz ose 11 përqind të popullsisë globale. Rritja është kryesisht për shkak të përhapjes së konflikteve të dhunshme dhe goditjeve të lidhura me klimën, të cilat janë gjithashtu shtytëse të mëdha të migracionit të fatkeqësive.

Presidenti i Madagaskarit, Hery Martial Rakotoarimanana Rajaonarimampianina, vendi i të cilit po përballet me ndikimet e ndryshimeve klimatike, foli gjithashtu në këtë ditë.

"Të rinjtë dhe gratë janë më të prekurit nga zhvendosjet e popullsisë (të lidhura me ndryshimet klimatike). Nëse duam të ndryshojmë paradigmën e migracionit, ne kemi nevojë të gjejmë zgjidhje në vendet e origjinës," tha ai.

Uria ushqen migrimin

FAO beson se migrimi duhet të jetë zgjedhje, e jo nevojë, dhe FAO po punon me partnerët dhe komunitetet përreth botës që t’u rikthejë njerëzve mundësinë e zgjedhjes.

Mes viteve 2008 dhe 2015, një mesatare prej 26.4 milion njerëz u zhvendosën çdo vit nga klima apo fatkeqësitë e shkaktuara nga moti. Në total, aktualisht ekzistojnë rreth 244 milionë migrantë ndërkombëtarë, 40% më shumë se në vitin 2000. Një pjesë e madhe e këtyre migrantëve vijnë nga zonat rurale ku më shumë se tre të katërtat e të varfërve në botë varen nga bujqësia dhe mjetet e jetesës me burime natyrore .

Këto lëvizje të mëdha njerëzish paraqesin sfida komplekse që kërkojnë zgjidhje humanitare dhe zhvillimi. Shumë nga arsyet që shkaktojnë migrimin e njerëzve mund të adresohen duke investuar në zhvillimin rural, duke mbështetur punësimin e mirë rural dhe duke siguruar rrjete të sigurisë sociale. Kjo punë gjithashtu kontribuon në arritjen e Qëllimit të Zhvillimit të Qëndrueshëm të Zero Uri deri në vitin 2030.

Vullneti politik

Ministrat e bujqësisë nga disa shtete të Grupit të të Shtatëve (G7) morën pjesë gjithashtu në ceremoninë e Ditës Botërore të Ushqimit - dëshmi për lidhjet e rëndësishme midis sigurisë ushqimore, zhvillimit rural dhe migrimit. Përfaqësuesit e G7 ishin Lawrence MacAulay i Kanadasë, Stéphane Travert i Francës, Peter Bleser i Gjermanisë, Maurizio Martina i Italisë, Therese Coffrey i Mbretërisë së Bashkuar dhe Sonny Perdue i Shteteve të Bashkuara. Ken Saito i Japonisë dërgoi një deklaratë mbështetëse.

Pjesëmarrës të tjerë në ceremoni ishin Komisioneri Europian për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural Phil Hogan, Presidenti i Fondit Ndërkombëtar për Zhvillimin Bujqësor (IFAD) Gilbert F. Houngbo dhe Drejtori Ekzekutiv i Programit Botëror të Ushqimit (WFP) David Beasley. 

Dita Botërore e Ushqimit  

FAO feston Ditën Botërore të Ushqimit çdo vit më 16 tetor për të përkujtuar themelimin e Organizatës në vitin 1945. Ngjarjet organizohen në mbi 150 vende të botës, duke e bërë atë një nga ditët më të njohura të kalendarit të OKB-së. Këto ngjarje promovojnë ndërgjegjësimin dhe veprimin në mbarë botën për ata që vuajnë nga uria dhe për nevojën për të siguruar sigurinë e ushqimit dhe dieta ushqyese për të gjithë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat