Përzierja e Rusisë, SHBA ka gati akuzat e para

Bota

Përzierja e Rusisë, SHBA ka gati akuzat e para

Më: 28 tetor 2017 Në ora: 12:13
Foto ilustrim

Një gjykatë federale në Uashington, miratoi akuzat e para në hetimin mbi përzierjen e supozuar ruse në zgjedhjet presidenciale të 2016.

CNN ka raportuar për këtë duke cituar burime të afërta me çështjen. Akuzat janë të fshehta sipas urdhrit të një gjykatësi federal dhe nuk është e qartë për momentin se për çfarë bëhet fjalë, por sipas CNN kushdo që përballet me këto akuza do të arrestohet jo më larg se e hëna.

Agjencitë amerikane të zbulimit dolën në përfundimin se Rusia kishte ndërhyrë në zgjedhje në përpjekje për të ndihmuar presidentin Donald Trump të mundte kandidaten demokrate Hillary Clinton, përmes një fushate hakimi, publikimit të e-maileve të papërshtatshme dhe propagandës përmes mediave sociale për të diskredituar fushatën e saj.

Këshilltari i posaçëm Robert Mueller, po heton nëse zyrtarë të fushatës së Trump janë përzierë në përpjekjet ruse. Ai po ashtu po ekzaminon krime të tjera të mundshme, përfshirë pengimin e drejtësisë, larjen e parave dhe evazionin fiskal.

Një zëdhënës i Mueller refuzoi të komentonte për Reuters raportin e mësipërm. Trump, një republikan që u zgjodh president nëntorin e shkuar, ka mohuar akuzat se fushata e tij është përzierë me Rusinë dhe ka denoncuar hetimin mbi këtë çështje duke e quajtur një gjueti shtrigash.

Edhe Kremlini i ka mohuar akuzat. Mueller u emërua nga departamenti i drejtësisë në krye të hetimit, në maj, pasi Trump shkarkoi drejtorin e FBI James Comey që kryesonte një hetim të parë federal mbi përzierjen e mundshme të Rusisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat