Armët kimike në Siri, SHBA dhe aleatët dënojnë regjimin e Assadit

Bota

Armët kimike në Siri, SHBA dhe aleatët dënojnë regjimin e Assadit

Më: 9 nëntor 2017 Në ora: 11:48
Rex Tillerson

Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, dhe kryediplomatët francezë, britanikë dhe gjermanë nënshkruan një deklaratë të mërkurën, e cila dënon përdorimin e armëve kimike nga qeveria siriane.

Deklarata pason një raport të hetuesve të OKB-së që zbuloi se regjimi i presidentit sirian Bashar al-Assad shkeli ligjin ndërkombëtar kur përdori gazin sarin në qytetin Khan Sheikhoun të kontrolluar nga rebelët, më herët gjatë këtij viti.

“E dënojmë këtë akt të tmerrshëm dhe kërkojmë që regjimi sirian të ndalë menjëherë përdorimin e armëve kimike. Gjithashtu, Siria duhet t’i bëjë të ditur Organizatës për Parandalimin e Armëve Kimike të gjitha armët kimike që zotëron”, thuhet në deklaratën e përbashkët të Sekretarit amerikan të Shtetit Tillerson me ministrat e Jashtëm të Francës, Gjermanisë dhe Britanisë.

Tillerson dhe diplomatët e tjerë thanë se është e rëndësishme që të mbahen nën vëzhgim rastet e përdorimit të armëve kimike në Siri, si dhe u kërkuan Kombeve të Bashkuara të ruajnë mekanizmin e përbashkët hetimor (JIM), të krijuar në bashkëpunim me Organizatën për Parandalimin e Armëve Kimike (OPCW).

Muajin e kaluar, përpara publikimit të raportit më të fundit mbi armët kimike, Rusia përdori veton në Kombet e Bashkuara për të bllokuar një rezolutë që do të zgjaste mandatin e hetuesve.

Gjetjet e raportit ishin politikisht të turpshme për Rusinë, një aleat i vendosur i presidentit sirian. Në Siri, qeveria është e vetmja palë në konflikt e pajisur me kapacitete ajrore. Zyrtarët rusë patën pohuar më parë se gazi ishte lëshuar nga një bombë në tokë dhe jo nga ajri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat