Ndikimi rus, sfidë e re për vendet e Ballkanit

Bota

Ndikimi rus, sfidë e re për vendet e Ballkanit

Më: 14 nëntor 2017 Në ora: 20:02
Senatori Murphey tha se korrupsioni, mbetet një pengesë madhore për të gjitha vendeve të rajonit që mban larg investimet dhe që pengon zhvillimin ekonomik.

Senatori amerikan Chris Murphy thotë se shtimi i ndikimit rus në Ballkan është një sfidë e re për rajonin, ndërkohë që këto vende kërkojnë të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian. Në një forum të organizuar në Uashington nga Instituti SAIS dhe Dhoma amerikane e Tregëtisë për marrëdhëniet transatlantike, senatori demokrat kritikoi mungesën e një qëndrimi të qartë amerikan ndaj Rusisë, që duket se po lëkund angazhimin amerikan në Ballkan.

Senatori amerikan Chris Murphy radhiti disa nga përparimet e bëra në rajon, si pranimin e Malit të Zi në aleancën e Natos, bisedimet Greqi-Maqedoni për zgjidhjen e çështjes së emrit, dhe përparimin në dialogun Serbi-Kosovë, si histori suksesi në rajon. Por ai e shikon me shqetësim ndikimin rusë në Ballkan, ndërsa vendet e rajonit synojnë të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian. Senatori demokrat kritikoi administratën e presidentit Trump, e cila me qëndrimin e saj jo të qartë ndaj Rusisë, po vë në pikëpyetje angazhimin amerikan në vendet e Ballkanit.

“Ky qëndrim dërgon një mesazh të shqetësues për vendet e Ballkanit që kërkojnë t’i shpërtojnë ndikimit rusë. Rusët nuk duan që vendet e Ballkanit të hyjnë në Bashkimin Evropian, ata nuk duan që këto vende të jenë të fuqizuara ekonomikisht. Ata duan që këto vende të jenë nën thundrën e Moskës. ... Presidenti Trump nuk e ka bërë të qartë nëse ne do të qëndrojmë përkrah vendeve që duan të hyjnë në BE apo nëse do ta lemë Rusinë të luaj lojra”.

Senatori Murphey tha se korrupsioni, mbetet një pengesë madhore për të gjitha vendeve të rajonit që mban larg investimet dhe që pengon zhvillimin ekonomik. Ai tha se Shtetet e Bashkuara duhet të shtojnë angazhimin e tyre në këtë luftë.

"Unë besoj se Shtetet e Bashkuara duhet të zgjerojnë dramatikisht punën që bëjnë me qeveritë për të çrrënjosur korrupsionin nga ekonomia. Ne shpenzuam pak fonde në Ukrainë për këtë çështje dhe kemi patur sukses të madh. Mendoj se mund të shpenzojmë shumë më tepër fonde, në partneritet me qeveritë në Ballkan për të patur të njëjtin sukses".

Drejtoresha e Zërit të Amerikës, Amanda Bennet foli në forum për rolin dhe rëndësinë që ka shtypi i lirë në aspiratat e rajonit për t’u integruar në Bashkimin Evropian.

“Siç e dini, mungesa e besimit në media, mungesa e besimit se po merr fakte objektive, ose të paktën diçka të afërt me faktet objektive, pengon klimën ekonomike dhe planet e anëtarësimit të vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian. (Hulumtuesja e Human’s Right Watch, Lidia Goll thotë se) pa një media të pavarur është e vështirë të shohësh vendet në rajonin e Ballkanit Perendimor të përmbushin aspiratat e popujve të tyre apo ambicjet e tyre evropiane”.

Zëri i Amerikës, tha zonja Bennet po përpiqet t’u japë zë gazetarëve kurajozë në rajon që po bëjnë gazetari investigative për të zbuluar korrupsionin dhe probleme të tjera në shoqëritë e tyre. Ajo përmendi bashkëpunimin e Zërit të Amerikës me rrjetin BIRN, që çoi në hetimin e disa gjyqtarëve që kishin luajtur rol në lirimin e kreut të një bande kriminale.

Duke folur në të njëjtin forum për zhvillimin ekonomik të Ballkanit, ambasadorja e Shqipërisë në Uashington, Floreta Faber tha se gjashtë vendet e Ballkanit Perendimor i kanë kthyer sytë tani nga ekonomia për të arritur standartet e kërkuara nga Bashkimi Evropian.

“Vendet e Ballkanit Perendimor kanë filluar të flasin, dhe jo vetëm të ulen së bashku për të kapërcejnë çështjet politike që kanë patur në 20 apo 100 vitet e shkuara. Pas axhendës së Berlinit, ne po bisedojmë si të bashkëpunojmë ekonomikisht më mirë me njëri-tjetrin për t’u afruar më pranë BE-së”, tha zonja Faber.

Forumi i Qendrës për marrëdhëniet Translatlantike-SAIS vazhdon diskutimet edhe për dy ditë të tjera këtu në Uashington me fokusin për të ndërtuar ura lidhëse bashkëpunimi me vendet e Mesdheut.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat