Tillerson në Evropë pas raporteve për shkarkimin e tij

Bota

Tillerson në Evropë pas raporteve për shkarkimin e tij

Më: 4 dhjetor 2017 Në ora: 15:51
Rex Tillerson

Rex Tillerson e fillon sot misionin diplomatik në Evropë, disa ditë pas raporteve se Shtëpia e Bardhë planifikonte ta shkarkojë atë nga posti i Sekretarit të Shtetit.

Tillerson parashihet të merr pjesë në takimet e NATO-s, BE-së dhe të OSBE-së, dhe të mbajë takime bilaterale me zyrtarët e Belgjikës dhe të Austrisë në Bruksel dhe Vjenë, nesër dhe pasnesër. Pas kësaj, ai pritet të ndalet në Paris për takime me zyrtarët francezë.

Pritet edhe një takim i tij me ministrin e Jashtëm të Rusisë, Sergei Lavrov, gjatë takimit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Vjenë.

Para turneut evropian, sekretari Tillerson e ka shprehur përkushtimin e Uashingtonit për sigurinë evropiane, veçanërisht derisa Rusia vazhdon me atë që ai e ka cilësuar si “sjellje agresive”.

Gjatë një fjalimi më 28 nëntor në Qendrën Wilson në Uashington, Rex Tillerson tha se intervenimet ushtarake të Rusisë në Gjeorgji dhe Ukrainë dhe ndërhyrja në zgjedhjet dhe politikat evropiane, janë të papranueshme.

Dy ditë pas fjalimit të tij, mediat amerikane raportuan se Shtëpia e Bardhë e kishte një plan që Tillerson të zëvendësohej me shefin e agjencisë CIA, Mike Pompeo.

Presidenti, Donald Trump, i ka hedhur poshtë raportet, duke i vlerësuar si “lajme të rrejshme”, ndërsa Tillerson është shprehur se këto raporte ishin “qesharake”.

Deklarata të kundërta për disa çështje madhore

Presidenti dhe Sekretari i Shtetit shpeshherë kanë pasur qëndrime të kundërta në deklaratat për çështjet madhore ndërkombëtare.

Tillerson, po ashtu, ishte akuzuar nga demokratët dhe disa republikanë, për dobësim të diplomacisë së Shteteve të Bashkuara, duke mos i plotësuar disa pozicione të rëndëdishme në Departamentin e Shtetit.

Njëherësh, disa liderë evropianë kanë shprehur shqetësim për retorikën e presidentit Trump, “Amerika së Pari”, dhe sinjalet e përziera të dërguara nga zyrtarët amerikanë lidhur me NATO-n dhe Bashkimin Evropian.

Një zyrtar evropian i involvuar në diplomaci me zyrarët e Shtëpisë së Bardhë, i ka thënë agjencisë Reuters se “duket se (Tillerson) nuk ka mandat, meqë gijotina po qëndron mbi kokën e tij”.

Ky zyrtar evropian nga Franca theksoi se “kjo ndikon që Evropa të mbetet dyshuese sikur përpara për Trumpin, dhe ka shtuar se “kaosi në administratë nuk e ndihmon klimën aktuale gjeopolitike”.

Në agjendë është Ukraina

Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, në Bruksel merr pjesë në mbledhjen e ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s dhe, po ashtu, takohet me përfaqësuesen e lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Federica Mogherini, dhe ministrat e Jashtëm të BE-së, për të diskutuar për “bashkëpunimin SHBA-BE në çështjet madhore globale”, ka njoftuar Departamenti amerikan i Shtetit.

Më 7 dhjetor, sekretari Tillerosn merr pjesë në Këshillin e ministrave të OSBE-së, me ç’rast Ukraina “do të jetë shumë e pranishme në agjendë”, ka paralajmëruar një zyrtar i lartë i Deprtamentit amerikan të Shtetit, i cili ka folur në kushte të anonimitetit.

“Sekretari realisht ka ndjenjë për... sigurinë e popullit të Ukrainës, në pjesën lindore në territoret e okupuara, që vazhdojnë të jetë në shënjestër të operacioneve ushtarake me inkurajimin dhe pjesëmarrjen e forcave nga Federata e Rusisë”, ka thënë ky zyrtar.

Nga luftimet në pjesën lindore të Ukrainës, ndërmjet forcave qeveritare dhe separatistëve të mbështetur nga Rusia, prej prillit të vitit 2014, janë vrarë më se 10 mijë vetë.

Disa marrëveshje për armëpushime, të shpallura në kuadër të marrëveshjeve të Minskut, të arritura në periudhën shtator 2014 dhe shkurt 2015, me synim për zgjidhjen e konfliktit, kanë dështuar të respektohen.

OSBE-ja e ka dërguar atje Misionin special monitorues të paarmatosur për vëzhgim dhe raportim për situatën.

Forca paqeruajtëse?

Diskutimet për vendosjen e një force paqeruajtëse në pjesën lindore të Ukrainës, janë shtuar prej muajit shtator, kur presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka propozuarvendosjen e paqeruajtësve të Kombeve të Bashkuara në vijën ndarëse ndërmjet forcave të qeverisë së Ukrainës dhe separatistëve të mbështetur nga Rusia.

Ka plan është pritur me kritika të shpejta nga Ukraina dhe Perëndimi, në masë të madhe për shkak të shqetësimeve se vendosja vetëm përgjatë linjës së frontit, do ta forconte kontrollin rus në territorin nën kontroll të separatistëve dhe nuk do të kishte kurrfaarë efekti në ndaljen e Rusisë nga dërgimi i luftëtarëve dhe armatimit në Ukrainë.

Putin më vonë tha se ai mbetet i hapur për përmirësime të planit të tij fillestar, por nuk është arritur kurrfaarë marrëveshjeje.

“Duhet të jetë një përfundim sipas të cilit forcat e OKB-së do ta rrethonin sipërfaqen e kontestuar dhe jo vetëm t’i ratifikojë përfitimet që rusët i kanë bërë në terren”, ka thënë zyrati i përmendur i Departamentit amerikan të Shtetit.

Sipas tij, pritet që takimi Tillerson – Lavrov, të mbahet më 7 dhjetor.

“Ne kemi mjaft diskutime që po zhvillohen për çështje të mëdha globale me rusët”, përfshirë programet raketore dhe atomike të Koresë Veriore dhe konfliktet në Ukrainë dhe Siri, tha ky zyrtar.

Ministria e Jashtme e Rusisë ka konfirmuar se po zhvillohen përgatitje për bisedimet e këtilla.

Parashihet që Tillerson, po ashtu, të takohet ndaras me ministrin e Jashtëm të Austrisë, Sebastian Kurz, për të diskutuar për “luftimin e ekstremizmit të dhunshëm, ndaljen e zgjerimit atomik, promovimin e reformave demokratike dhe ekonomike në Ballkanin Perëndimor dhe thellimin e lidhjeve bilaterale tregtare”, ka njoftuar Departamenti amerikan i Shtetit.

Më 8 dhjetor, Tillerson udhëton në Paris për të diskutuar për “bashkëpunimin tonë të thellë në çështjet e shqetësimit të dyanshëm”, në gjithë botën, siç janë Siria, Irani, Libani, Libia dhe Koreja Veriore, me zyrtarë të lartë francezë, tha Departamenti amerikan i Shtetit./rel

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat