FMN: Stabiliteti financiar rrezikohet nga borxhi kinez

Bota

FMN: Stabiliteti financiar rrezikohet nga borxhi kinez

Më: 7 dhjetor 2017 Në ora: 11:57
FMN

Fondi Monetar Ndërkombëtar paralajmëroi se Kina rrezikon të jetë shkaku i një krize të re financiare ndërkombëtare, pasi ekonomia e dytë më e madhe në botë varet thellësisht nga borxhi gjithnjë e në rritje.

Kontrolli i sistemit financiar kinez nga FMN-ja doli në përfundimin se, kreditë ishin të larta sipas standardeve ndërkombëtare, borxhet e individëve ishin rritur gjatë 5 viteve të fundit, dhe se presioni për të mbajtur një ritëm të lartë rritjeje ekonomike ka gjeneruar ngurim për të lejuar falimentimin e kompanive në telashe.

FMN-ja përgëzoi presidentin kinez Xi Jinping për angazhimin e tij për të përmirësuar sigurinë financiare, por tha se reformat e ndërmarra nga Pekini në këtë kuadër nuk janë të mjaftueshme.

Sipas FMN-së, ndërlikimi në rritje i sistemit kinez ka sjellë rreziqe për stabilitetin financiar, pasi rritja e kredive ka lënë pas rritjen ekonomike, duke shtuar borxhin. Borxhi i korporatave ka arritur në 165% të Produkti të Brendshëm Bruto, ndërsa kreditë për individët, megjithëse ende të ulëta, janë rritur me 15% gjatë 5 viteve të fundit.

Sipas raportit të FMN-së, Kina duhet të përqëndrohet më pak tek objektivat e rritjes ekonomike, që kanë sjellë rritje të tepruar të kredive, të përforcojë mbikëqyrjen financiare dhe të përqëndrohet te diktimi i rreziqeve.

Kina ishte një prej motorëve të rritjes ekonomike të botës, kur vendet e zhvilluara pësuan krizën e viteve 2008-2009, por ky zhvillim varej fort mbi shpenzime të mëdha publike dhe kredi të lehta. Presidenti Xi Jinping po përpiqet të çojë Kinën drejt një modeli të ndryshëm, ku rritja ekonomike është me e ngadaltë, por e përballueshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat