Setsuko Thurlow nga viktima e sulmit bërthamor në nobeliste të Paqes

Bota

Setsuko Thurlow nga viktima e sulmit bërthamor në nobeliste të Paqes

Më: 9 dhjetor 2017 Në ora: 19:41
Setsuko Thurlow

E mbijetuar nga bombardimi i parë bërthamor në histori dhe militantja e çarmatimit, kanadezja me origjinë japoneze, Setsuko Thurlow mori sot në Oslo çmimin Nobel për Paqe, në emër të Kompanisë Ndërkombëtare për Eliminimin e Armëve Bërthamore (ICAN), organizatë e laureuar këtë vit me Nobelin për Paqe.

E lindur nga prindër me pikëpamje pacifiste më 3 janar 1932, ajo ishte gjimnaziste kur ndodhi ngjarja që do t’i trondiste jetën dhe të ndryshonte botën përgjithmonë, bombardimi bërthamor i qytetit të lindjes, Hiroshima, më 6 gusht 1945.

E strehuar në atë kohë në një ndërtesë 1,8 kilometra nga epiqendra e shpërthimit në momentin fatal, ku ajo humbi disa anëtarë të familjes, ajo ruan një kujtesë të pashlyeshme.

“Më kujtohet një shpërthim me dritë blu. Trupi im u hodh në ajër, më kujtohet kjo ndjenjë e kërcimit”, thekson ajo në një intervistë të dhënë në vjeshtë.

E mbetur nën gërmadha ashtu si dhjetëra persona rreth saj, ajo pati fatin të shpëtonte falë ndihmës së një të panjohuri.

“Qyteti që pashë ishte i papërshkrueshëm. Isha vetëm 13 vjeçe dhe po shikoja qytetin tim të shkatërruar. Ishte kthyer në një qytet të vdekur”, tregon ajo.

“Një heshtje e çuditshme mbizotëronte në Hiroshima, dielli i mëngjesit ishte zhdukur mes reve të pluhurit, që kishin mbështjellë qytetin”, vijon ajo.

“Askush nuk thërriste, askush nuk ecte. Të mbijetuarit nuk kishin as forcë fizike, as mendore”, kujton ajo gjatë kësaj interviste.

Përmes kësaj eksperience traumatike me vdekjen e rreth 140.000 personave ajo gjen forcën për t’u shërbyer të tjerëve. Pas luftës, Setsuko Thurlow fillon studimet për punë sociale në Universitetin Jogakuin të Hiroshimës dhe më pas largohet nga vendi i saj për në SHBA, ku martohet me një kanadez në vitin 1950.

Në vitin 1955, ajo emigroi në Kanada, në një kohë që imigrimi i aziatikëve ishte i ndaluar, përveç për të afërmit e qytetarëve kanadezë.

Dy vjet më vonë çifti vendoset në Japoni ku ajo ishte mësuese dhe në vitin 1962 çifti dhe dy djemtë rikthehen në Kanada.

Ambasadore e ICAN gjatë lansimit në vitin 2007, Thurlow u pranua në Urdhrin e Kanadasë, dekorata më e lartë në vend.

Gjithmonë aktive, ajo ka luajtur në rol të madh në negociata që ndërmori OKB-ja për miratimin e një traktati që paraqiti për herë të parë ndalimin e armës bërthamore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat