Unicef: Shkalla e sulmeve kundrejt fëmijëve në zonat e konfliktit është shokuese

Bota

Unicef: Shkalla e sulmeve kundrejt fëmijëve në zonat e konfliktit është shokuese

Më: 28 dhjetor 2017 Në ora: 10:27
Gjate luftes ne Siri

Fondi i fëmijëve të OKB’së thotë se shkalla e sulmeve ndaj fëmijëve në zonat konflikuoze në botë arriti në nivele “tronditëse” në vitin 2017.

Në një raport të ri, Unicef tha se kishte mospërfillje të hapur për ligjet ndërkombëtare të hartuara për të mbrojtur më të prekshmit.

Drejtori i Unicef’it Manuel Fontaine tha se fëmijët ishin duke u shënjestruar në shtëpitë, shkollat  dhe terrenet ku ata loznin. Ai tha se brutaliteti i tillë “nuk mund të jetë një normalitet i ri”.

Në Republikën e Afrikës Qendrore, fëmijët u vranë, u përdhunuan, u rrëmbyen dhe u rekrutuan nga grupe të armatosura në një rritje dramatike të dhunës, raporton “BBC”.

Militantët islamikë Boko Haram detyruan të paktën 135 fëmijë në Nigerinë veriore dhe Kamerun për të vepruar si bombardues vetëvrasës pothuajse pesë herë më shumë se në vitin 2016.

Fëmijët myslimanë Rohingya në Mianmar pësuan “dhunë tronditëse dhe të përhapur”, ndërsa ata u nxorën nga shtëpitë e tyre në shtetin Rakhine.

Në Sudanin e Jugut, më shumë se 19,000 fëmijë u rekrutuan nga forcat e armatosura.

Lufta në Jemen ka lënë në të paktën 5,000 fëmijë të vdekur ose të plagosur sipas shifrave zyrtare, me numrin real që pritet të jetë shumë më i lartë.

Në lindje të Ukrainës, 220,000 fëmijë jetojnë nën kërcënimin e vazhdueshëm të minave tokësore dhe pajisjeve të tjera të pashpërthyera të mbetura nga lufta.

Raporti thotë se në disa vende, fëmijët janë rrëmbyer nga grupet ekstremiste ku kanë pësuar abuzim të mëtejshëm. Miliona fëmijë vuajnë nga kequshqyerja, sëmundja dhe trauma.

“Unicef u bën thirrje të gjitha palëve të konfliktit t’i përmbahen detyrimeve të tyre sipas ligjit ndërkombëtar për t’i dhënë fund menjëherë shkeljeve ndaj fëmijëve dhe ndërtimin e infrastrukturës civile, duke përfshirë shkollat dhe spitalet”, shton raporti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat