Trump, ultimatum aleatëve perëndimorë për marrëveshjen me Iranin

Bota

Trump, ultimatum aleatëve perëndimorë për marrëveshjen me Iranin

Më: 12 janar 2018 Në ora: 22:24
Donald Trump

Presidenti Donald Trump u dha një ultimatum aleatëve evropianë të Amerikës që të ndreqin "të metat e tmerrshme", siç u shpreh ai, në marrëveshjen bërthamore me Iranin, përndryshe ai do t’i tërheqë Shtetet e Bashkuara brenda disa muajve nga marrëveshja.

Zoti Trump e bëri kërcënimin ndërkohë që shtyu më tej afatet për imponimin e sanksioneve kundër Iranit, duke e lënë marrëveshjen në fuqi, të paktën për një farë kohe.

“Ky është një shans i fundit,'' paralajmëroi Presidenti Trump në një deklaratë ku formuloheshin disa rregulla të reja dhe të ashpra për Iranin. Nëse ato nuk zbatohen, thuhej aty, “Shtetet e Bashkuara nuk do ta shtyjnë më vendosjen e sanksioneve dhe nuk do t’i përmbahen marrëveshjes bërthamore për Iranin.”

Deklarata e zotit Trump i vë para një trysnie të madhe Britaninë, Francën dhe Gjermaninë, vendet evropiane nënshkruese të paktit bërthamor me Iranin. Presidenti Trump kërkon që këto vende të ndihmojnë Shtetet e Bashkuara për të krijuar një marrëveshje të re, e cila të ketë si qëllim ta pengojë Iranin të shkallëzojë përsëri aktivitetin bërthamor në dekadën e ardhshme, siç lejon marrëveshja e vitit 2015 e arritur nga Presidenti Barak Obama. Irani ka thënë se nuk është i interesuar për një rinegocim të marrëveshjes.

Sanksionet që Presidenti Trump i shtyu, kanë të bëjnë me bankën qendrore të Iranit. Këto sanksione e shkëputnin Iranin nga sistemi financiar ndërkombëtar, deri kur ato u pezulluan nga ish-Presidenti Obama në bazë të marrëveshjes bërthamore. Zoti Trump shtyu edhe imponimin e ndëshkimeve të tjera amerikane të parashikuara në marrëveshja, që përfshinin sektorët e naftës dhe gazit të Iranit.

Lidhur me këto sanksione, Presidentit Trump do t’i duhet të vendosë në pranverë.

Megjithatë, paralelisht me lëshimet e së premtes, presidenti vendosi sanksione të tjera për Iranin në lidhje me shkeljet e të drejtave të njeriut dhe prodhimin e raketave balistike nga ana e Teheranit.

Masat e reja prekin 14 zyrtarë iranianë si dhe kompani dhe biznesmenë nga Irani, Kina e Malajzia, duke ngrirë çdo pasuri që ata kanë në SHBA dhe duke ndaluar amerikanët të bëjnë biznes me ta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat