Raport i ri: Aksidentet rrugore pengojnë ekonomitë në zhvillim

Bota

Raport i ri: Aksidentet rrugore pengojnë ekonomitë në zhvillim

Më: 12 janar 2018 Në ora: 23:14
ilustrim

Aksidentet vdekjeprurëse automobilistike nuk janë vetëm tragjedi individuale. Ato janë pengesë për rritjen ekonomike në vendet në zhvillim, sipas një raporti të ri të Bankës Botërore.

((https://openknowledge.worldbank.org/handle/10986/29129))

Studimi është ndër të parët që tregon se investimi në sigurinë rrugore në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme do të rriste të ardhurat kombëtare.

Nëntëdhjetë për qind e 1.25 milionë vdekjeve në vit, si rezultat i aksidenteve automobilistike në shkallë botërore, ndodhin në botën në zhvillim. Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se aksidentet rrugore janë shkaku kryesor i vdekjes në mbarë botën për grupmoshën 15-29 vjeç. Këtu përfshihen edhe aksidentet ku humbin jetën këmbësorët, ngarësit e biçikletave dhe motorëve.

((http://www.who.int/mediacentre/factsheets/fs358/en/))

Por çështjes nuk i kushtohet shumë vëmendje nga zyrtarët, thotë Dipan Bose, ekspert për transportin në Bankën Botërore.

"Nuk ka shumë vullnet politik në shumë vende me të ardhura të ulëta dhe të mesme për të ndërmarrë veprime domethënëse për të reduktuar vdekjet dhe lëndimet nga aksidentet rrugore".

Zoti Bose ëdhtë bashkautor i një studimi të fokusuar në pesë vende: Kinë, Indi, Tajlandë, Filipine dhe Tanzani. Autorët përdorën modele ekonomike për të vlerësuar se sa do të përfitonte ekonomia e përgjithshme e secilit vend gjatë një periudhe 24-vjeçare duke shkurtuar gjysmën e vdekjeve nga aksidentet rrugore.

"Rezultatet ishin mjaft befasuese," tha ai.

Tajlandia do të shohë një rritje prej 22 për qind në të ardhurat kombëtare. Shkalla e lartë e rritjes ekonomike dhe ritmet e larta të aksidenteve rrugore tregonin se Tajlanda ishte vendi që do të kishte përfitimet më të mëdha.

Tanzania do të përfitonte me rreth 7 për qind ndërsa vendet e tjera ishin mes 7 dhe 22 për qind.

Këto lloj përfitimesh ekonomike janë "diçka që asnjë qeveri nuk mund të injorojë", tha zoti Bose. Raporti "sqaron anën ekonomike se përse është e rëndësishme të ndërmerren veprime të forta për sigurinë rrugore".

Zbatimi i kufizimeve të shpejtësisë, ligjeve për paisjet mbrojtëse si helmetat apo rripat e sigurimit, dhe zvogëlimi i rasteve të ngarjes në gjendje të dehur, janë masa që mund të merren lehtë, por me përfitime të ndjeshme, thuhet në raport.

Por shoferët janë vetëm pjesërisht përgjegjës për vdekjet në aksidentet rrugore, thuhet në një raport tjetër nga Banka Botërore dhe Instituti i Burimeve Botërore.

(http://www.wri.org/news/2018/01/release-rid-world-125-million-road-deaths-safe-system-approach-shows-way))

Specialistët e zhvillimit urban në bashkitë e qyteteve dhe zyrtarë të qeverisë janë përgjegjës për planimetri që kanë në vëmendje masat e sigurisë për transportin.

"Nëse sistemi nuk është i sigurtë - nëse njerëzit nuk kanë mundësi të kalojnë rrugën të sigurtë ose të ngasin një automjet të sigurtë, atëherë një gabim i vogël mund të ketë pasoja vdekjeprurëse", thotë një nga autorët, Anna Bray Sharpin me Institutin e Burimeve Botërore.

Për shembull, thotë ajo, "shumë qytete ndjekin parametrat e ndërtimit të autostradave edhe në planet për ndërtimin e rrugëve brenda qytetit”.

Bulevardet me shumë korsi janë ndërtuar për "lëvizjen dhe shpejtësinë maksimale të trafikut", por jo për çiklistët ose këmbësorët.

"Njerëzit rrezikojnë duke provuar të kalojnë rrugën," thotë ajo. "Këtu duhet të ngrihet pyetja: a kemi të bëjmë me përgjegjësi personale, ose një bashkë-përgjegjësi mes qeverisë dhe specialistëve të zhvillimit urban si dhe njerëzve që përdorin rrugën".

Raporti ofron udhëzime për përfshirjen e sigurisë në planet për transportin rrugor. Transporti publik, ecja dhe ngarja e biçikletës ul numrin e makinave në rrugë dhe rrjedhimisht ul numrin e aksidenteve.

Ndërtimi i trotuareve, ndërtimi i mbikalimeve për këmbësorët për rrugë të ngarkuara, si dhe vendosja e barrierave mbrojtëse për korsitë e biçikletave ndihmon në reduktimin e aksidenteve. Në rrugët rurale, barrierat ndarëse mund të reduktojnë përplasjet.

Specialistja Bray Sharpin vëren se shumë vende në zhvillim aktualisht po planifikojnë projekte të mëdha për infrastrukturën rrugore.

“Tani ekziston mundësia që ato vende të përfshijnë masat e sigurisë në planfikim. Kushton shumë më më lirë sesa të përpiqesh ta përshtatësh atë më vonë. Pasi të ndërtohen këto rrugë ato do të jenë në përdorim për dekada të tëra”.

Nëse ata nuk përfshijnë masat e sigurisë në projekte, shton ajo, ata do të mbeten për një kohë shumë të gjatë në përdorim me infrastrukturën e tyre të rrezikshme./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat