Mogherini e shqetësuar nga ofensiva turke në kufirin sirian

Bota

Mogherini e shqetësuar nga ofensiva turke në kufirin sirian

Më: 22 janar 2018 Në ora: 22:04
Shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Federica Mogherini

Shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Federica Mogherini u shpreh sot shumë e shqetësuar për operacionin ushtarak të ndërmarrë nga ushtria turke në veri të Sirisë.

“Jam shumë e shqetësuar”, deklaroi Mogherini në një konferencë shtypi, duke shtuar se do të kërkonte takim për të diskutuar me ministrin turk për Çështjet Evropiane, Omer Celik, këtë javë në Bruksel.

“Ne duhet të sigurohemi që aksesi humanitar të jetë i garantuar dhe që popullsia të mos vuajë nga aktivitetet ushtarake në terren”, nënvizoi ajo duke kërkuar që çdo aktivitet ushtarak të jetë i fokusuar kundër Shtetit Islamik.

“Dhe ajo që më shqetëson dhe na shqetëson shumë është që aktivitetet ushtarake të palëve të tjera në Siri mund të cenojnë rëndë rifillimin e negociatave për paqe në Gjenevë mes opozitës dhe regjimit të Bachar al-Assad”, shtoi Mogherini.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat