SHBA - Rusia - NATO dhe fjalimi i Putinit

Bota

SHBA - Rusia - NATO dhe fjalimi i Putinit

Më: 3 mars 2018 Në ora: 09:26
Vladimir Putin

Rusia po i hedh poshtë akuzat se ka thyer detyrimet e traktatit bërthamor, me argumentin se do që të ruajë paqen dhe stabilitetin në botë.

“Kjo nuk duhet marrë në asnjë mënyrë si fillimi i një gare armatimi”, tha zëdhënësi i Kremlini të premten. “Këto armë nuk përbëjnë kërcënim për ato vende që nuk ka në plan të sulmojë vendin tonë.”

Këto komente Peskov i bëri një ditë pasi Presidenti rus Vladimir Putin u mburr në fjalimin e tij vjetor drejtuar vendit për arsenalin e modernizuar bërthamor të vendit të tij.

Putin tha se arsenali përfshinte raketa bërthamore “të painterceptueshme”, të cilat kanë rreze të pakufizuar dhe që janë të afta t’u shmangen sistemeve amerikane të mbrojtes nga raketat.

Si përgjigje ndaj komenteve të zëdhënësit rus, Sekretarja e Shtypi e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders, e akuzoi Rusinë se “është duke ndërtuar sisteme destabilizuese armësh për një dekadë, një shkelje e drejtpërdrejtë e detyrimeve të traktatit të nënshkruar prej saj.”

Rusinë e kritikoi edhe NATO, duke i cilësuar deklaratat e zotit Putin “të papranueshme dhe kundërproduktive.”

“Ne nuk duam një tjetër Luftë të Ftohtë, apo një garë armatimesh” – tha të premten zëdhënësja e Aleancës Oana Lungescu, në një dekaratë.

Po të premten, agjencia ruse e lajmeve RIA, njoftoi se Moska i ka shtyrë bisedimet me Shtetet e Bashkuara, për t’u fokusuar tek stabiliteti strategjik.

Agjencia citoi një zyrtar të Ministrisë së Jashtme ruse të ketë thënë se shtyrja e bisedimeve ishte si përgjigje ndaj një vendimi të mëparshëm nga Uashington për anulimin e konsultimeve për sigurinë kibernetike./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat