8 Marsi, në klimën e lëvizjeve kundër ngacmimeve seksuale, diskriminimit

Bota

8 Marsi, në klimën e lëvizjeve kundër ngacmimeve seksuale, diskriminimit

Më: 8 mars 2018 Në ora: 16:45
Pamje nga protesta

Sot bota feston 8 marsin, Ditën Ndërkombëtare të Gruas, një ditë kur vlerësohen arritjet e gruas pa dallim race, përkatësie etnike, gjuhe apo niveli social dhe ekonomik. Kjo ditë e ka fillesën tek lëvizjet sindikaliste në fillim të shekullit të 20-ë në Amerikën Veriore dhe gjithë Evropën. Episodi i fundit i emisionit “Plugged In” i gazetares Greta Van Susteren, analizoi ndryshimet e fundit në debatin publik në lidhje me gratë, sulmet seksuale dhe udhëheqjen në botë.

Fushatat ME TOO dhe NO MORE në fushatat e mediave sociale janë në qendër të vëmendjes në këtë Ditë Ndërkombëtare të Gruas, megjithëse bota e Hollivudit nuk është e vetmja që ngjall shqetësim.

Në emisionin “Plugged In” me gazetaren Greta Van Susteren, anëtarja republikane e kongresit, Susan Brooks tha se sektori privat në Amerikë është përpara qeverisë në përpjekjet për të luftuar ngacmimin seksual.

“Unë jam Kryetare e Komisionit të Etikës dhe sigurisht edhe Kongresi është angazhuar në këtë drejtim, por unë jam vërtet krenare që jam pjesë e një përpjekjeje dypartiake, udhëhequr nga gratë dhe burrat e Kongresit për të përmirësuar proceset në Dhomën e Përfaqësuesve në mënyrë që njerëzit të ngrenë zërin kundër ngacmimit seksual”.

Fushatat në mediat sociale që filluan në Shtetet e Bashkuara janë përhapur deri në vende si Pakistani, kur Ayesha Tanzeem e Zërit të Amerikës po e ndjek këtë temë.

“Kur filloi lëvizja ‘Me-Too’ në Shtetet e Bashkuara, mund të shikoje ndikimin e saj në Pakistan, por më pak në Afganistan përveçse në qytete dhe gratë në Pakistan filluan të postojnë historitë e veta të kësaj natyre duke thënë se po vuanin nga e njëjta gjë”.

Media sociale është bërë një instrument i rëndësishëm në luftën për të drejtat e grave, sipas Kamissa Camaras e firmës “Partners Global”.

“Unë kam parë gjithnjë e më shumë raste të dhunës familjare që bëhen publike në Facebook ose Twitter prandaj gratë tani e dinë se çfarë po u ndodh grave të tjera përsa i takon ngacmimeve seksuale. Ato flasin me njëra-tjetrën dhe u japin këshilla njëra-tjetrës dhe mbështesin njëra- tjetrën për t’u përballur me ato situata”.

Në vitin 1995, Zonja e Parë Hillary Clinton foli për të drejtat e grave në një Konferencë të Kombeve të Bashkuara në Pekin.

“Nëse ka një mesazh që del nga kjo konferencë, atëherë ai duhet të jetë që të drejtat e njeriut janë të drejtat të gruas dhe të drejtat e gruas janë të drejta të njeriut, njëherë e përgjithmonë”.

Por sot, dy dekada më pas, në vendet në zhvillim ka ende sfida.

“Duhet të kemi më shumë gra që të kandidojnë në poltikë. Në këtë drejtim, Shtetet e Bashkuara po mbeten pas vendeve të tjera. Vende të tjera kanë më shumë gra në parlament dhe në kongrese prandaj duam që më shumë gra në të gjitha nivelet e qeverisjes”.

“Sipas studimeve, kur gratë përfshihen në procese paqeje, paqja që arrihet është e qëndrueshme dhe fenomene si përdhunimi eliminohen."

Ekspertë si zonja Camara besojnë se Liberia është një nga vendet ku pjesëmarrja e grave në arenën politike, ka sjellë ndryshime politike madhore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat