Eliminimi i armëve bërthamore të Koresë së Veriut

Bota

Eliminimi i armëve bërthamore të Koresë së Veriut

Më: 22 mars 2018 Në ora: 20:44
Donald Trump, Kim Jong Un

Vendimi i papritur i Presidentit Donald Trump për t’u takuar me udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un, pa përgatitur një kuadër paraprak, mund të rezultojë me një marrëveshje historike, për të cilën do të zhvillohet një proces i gjatë negocimi. Korrespondenti i Zërit të Amerikës në Seul, Brian Padden, njofton se rezultati më i mirë i mundshëm diplomatik do të ishte arritja e një marrëveshjeje për përkufizimin e procesit të eliminimit të armëve bërthamore.

Gatishmëria e udhëheqësit koreanoverior Kim Jong Un për të biseduar rreth dhënies fund të programit të armëve bërthamore të vendit të tij, siç u paraqit nga të dërguarit e Koresë së Jugut, shërben si bazë për takimet e ardhshme mes Kim Jong Unit, Presidentit të Koresë së Jugut Moon Jae-in dhe Presidentit amerikan Donald Trump.

Megjithatë, gjatë një konference në Seul, analistët për Korenë e Veriut vunë në dukje se udhëheqja e Phenianit përdor një tjetër terminologji për eliminimin e armëve bërthamore, e cila ka disa kuptime.

“Ata përdorin fjalët ‘mbyllje’, ‘ngrirje’, ‘pezullim’, ‘mbulim’ apo ‘çaktivizim’ për të njëjtën fjalë koreane – godon joongdan”, thotë Han Young-Sup, i Universitetit Korean për Mbrojtjen Kombëtare.

Mendohet se Kim Jong Uni do të binte dakort për vetëm një ngrirje ose zvogëlim të arsenalit bërthamor dhe të raketave, në shkëmbim të lehtësimit të sanksioneve të ashpra amerikane. Në të kaluarën, Koreja e Veriut ka kërkuar edhe tërheqjen e forcave amerikane nga Koreja e Jugut, si një parakusht për heqjen dorë nga kërcënimi bërthamor. Nuk ka gjasa që Shtetet e Bashkuara të bien dakord për diçka të tillë.

Vetë Presidenti Trump është shprehur se qasja e tij e pazakontë ndaj diplomacisë, duke rënë dakord për t’u takuar pa qartësuar rrethanat, mund të dështojë.

Sidoqoftë, fillimi i bisedimeve në nivelin më të lartë të mundshëm, mund të ofrojë mandatin për ta çuar përpara procesin.

“Një angazhim i krerëve për eliminimin e armëve bërthamore hap rrugën drejt diplomacisë dhe negocimit të detajeve”, thotë Jenny Town, e Institutit të SHBA-së për Koretë, në Universitetin Johns Hopkins.

Shtetet e Bashkuara këmbëngulin se nuk do të ketë lëshime derisa të ndërmerren hapa konkrete drejt eliminimit të armëve bërthamore. Megjithatë, Koreja e Jugut mund të ofrojë stimuj ekonomikë dhe përjashtime nga sanksionet për rihapjen e kompleksit të përbashkët industrial në Kaesong.

“Sanksionet mund të ripërkufizohen sipas nevojës”, thotë Bill McKinney, i Institutit amerikan për Koretë.

Mendohet se Koreja e Veriut ka rreth 30 armë bërthamore, qindra raketa me rreze të mesme dhe të gjatë, si dhe po vazhdon prodhimin e materialeve bërthamore në reaktorin e saj Yongbyong dhe në uzina të fshehta për pasurimin e uraniumit./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat