Dënohen 2 turko-amerikanë lidhur me përleshjet gjatë vizitës së Erdoganit në SHBA

Bota

Dënohen 2 turko-amerikanë lidhur me përleshjet gjatë vizitës së Erdoganit në SHBA

Më: 6 prill 2018 Në ora: 16:05
Përkrahës të Recep Tayyip Erdoganit reagojnë ndaj kundërshtarëve të presidentit turk jashtë Shtëpisë së Bardhë, më 16 maj 2017, ndërsa Erdogan po takohej me Presidentin Donald Trump.

Një gjykatës në Distriktin e Kolumbias dha të enjten dënim me një vit e 1 ditë burgim për dy turko-amerikanë, pasi ata pranuan fajësinë për sulm ndaj demonstruesve pro-kurdë gjatë vizitës në Uashington vitin e kaluar, të Presidentit turk Recep Tayyip Erdogan.

Sinan Narin, 46 vjeçar nga Virxhinia dhe Eyup Yildirim, 51 vjeçar nga Nju Xhërsi, pranuan fajësinë në një seancë gjyqësore në muajin dhjetor, për sulmin që shkaktoi plagosje të protestuesve, në përleshjet e zhvilluara në maj të vitit 2017, pranë rezidencës së ambasadorit turk në Uashington.

Gjykatësja Marisa Demeo e Gjykatës Superiore të Disktiriktit të Kolumbias e pranoi marrëveshjen, që me pranimin e fajit nga të pandehurit, do zbatohej vendimi i mëparshëm.

Të dy të pandehurit kanë qendruar në burg që nga koha e arrestimit të tyre qershorin e kaluar dhe do t'u njihet koha e qëndrimit të në burg, tha zyra e prokurorit të Distriktit të Kolumbias.

Përleshjet në rrugë që sollën arrestimin e dy turko-amerikanëve filluan, pasi një grup i vogël demonstruesish kurdë u mblodhën pranë rezidencës së ambasadorit turk për të protestuar kundër vizitës së Erdoganit; por ata ndeshën në kundërshtimin e përkrahësve të presidentit turk, rojeve të sigurisë dhe anëtarëve të tjerë të delegacionit.

Video e konfrontimit, e regjistruar me kamera nga gazetari i Zërit të Amerikës, tregon se si persona që duket të jenë roje të sigurisë të Erdoganit shtyjnë dhe gjuajnë me shqelma protestuesit, disa prej të cilëve mbajnë në duar flamuj kurdë.

Një juri e madhe në muajin gusht ngriti akuza ndaj 19 personave - 15 prej tyre roje të sigurisë të Erdoganit, dy turko-amerikanët dhe dy turko-kanadezë, nën akuzat për komplot për kryerjen e dhunës, një krim që dënohet me deri në 5 vjet burgim.

Por prokurorët më vonë i hoqën akuzat ndaj 11 prej rojeve të Erdoganit, për atë që një zyrtar qeveritar e përshkroi si "arsye në lidhje me provat".

Akuzat kriminale ndaj katër rojeve të tjera personale janë në pritje, ashtu sikurse edhe ndaj shtetasve kanadezë me prejardhje turke. Turko-kanadezët nuk janë arrestuar, por mbetet e paqartë në se ata do të ekstradohen, për t'u gjykuar në Shtetet e Bashkuara./voa

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat