Aleatët: Mbështesim SHBA, por të mos nxitohemi

Bota

Aleatët: Mbështesim SHBA, por të mos nxitohemi

Më: 12 prill 2018 Në ora: 06:25
Donald Trump dhe Vladimir Putin

Në klimën e shkëmbimeve të nxehta në rrjetet sociale, me kërcënime dhe paralajmërime, ku flitet për një konfrontim ushtarak mes SHBA dhe Rusisë, Britania, Franca dhe Australia kanë ofruar mbështetje për një sulm amerikan me raketa në Siri, por duke e kushtëzuar mbështetjen e tyre.

Aleatët e Amerikës deklaruan se do t’i bashkohen një reagimi të mundshëm ushtarak ndaj sulmit me armë kimike në Siri që dyshohet se është ndërmarrë nga forcat besnike të Presidentit Bashar Al-Assad.

Ata po vënë në pikëpyetje efektin parandalues të sulmeve me raketa, duke theksuar se kundërpërgjigjja ushtarake amerikane një vit më parë ndaj një sulmi me gaz sarin në provincën veriore siriane të Idlibit, nuk e ka ndalur Assadin të ndërmarrë sulme të tjera kimike, kryesisht me bomba thërrmuese me klor, të hedhura nga helikopterët e regjimit sirian.

Në një bisedë telefonike me Presidentin Trump të martën vonë, kryeministrja britanike Theresa May ofroi mbështetjen e saj, por sipas zyrtarëve britanikë, u shpreh se Britania kërkon më shumë dëshmi se kush fshihet pas sulmit të dyshuar kimik të shtunën në një zonë në periferi të Damaskut që mbahet nga kryengritësit.

Presidenti francez Emmanuel Macron ka thënë se Franca është gati të angazhohet për veprime ndëshkuese, nëse konfirmohet se Presidenti Assad ka kaluar vijën e kuqe dhe ka përdorur armë kimike. Por duket se ai dëshiron që goditjet e kundërpërgjigjes të kufizohen vetëm ndaj objekteve siriane të armëve kimike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat