Lufta në prag: Rusia paralajmëron SHBA, Gjermania mbetet ‘spektatore’

Bota

Lufta në prag: Rusia paralajmëron SHBA, Gjermania mbetet ‘spektatore’

Më: 13 prill 2018 Në ora: 09:06
Trupat ruse në Siri

Rusia paralajmëron Shtetet e Bashkuara të Amerikës se nisja e bombardimeve ajrore si kundërpërgjigje ndaj sulmit kimik në Siri, mund të shkaktojë një luftë mes dy vendeve.

Shmangia e rrezikut të konfliktit është prioritet i menjëhershëm, tha ambasadori rus në OKB, Vassily Nebenzia, i cili e akuzoi Uashingtonin se po e vendos në rrezik paqen ndërkombëtare. “Fatkeqësisht, në këtë situatë, ne nuk mund të përjashtojmë asnjë mundësi”, shtoi Nebenzia.

Komentet e tij vijnë në kohën kur fuqitë perëndimore mendohet të jenë duke përgatitur një ofensivë në Siri, gjë të cilën Moska, aleate e saj, e kundërshton me forcë. Nebenzia e argumentoi rrezikun e përshkallëzimit me praninë ushtarake ruse në vendin e trazuar. Figura të tjera të larta në Rusi, përfshirë vetë kreun e ushtrisë, kanë paralajmëruar se raketat amerikane do të qëllohen e rrëzohen dhe vendet e tyre të lëshimit do të vihen në shënjestër nëse prej lëvizjeve të tilla kërcënohet personeli rus.

Nebenzia kërkoi mbajtjen e një mbledhjeje të Këshillit të Sigurimit, ku të diskutohet mundësia e një ndërhyrjeje të mundshme ushtarake nga ana e Perëndimit. Shtëpia e Bardhë thotë se po vazhdon të vlerësoje të dhënat e inteligjencës e të diskutojë me aleatët mbi mënyrën e përgjigjes.

Ndërkohë, ekspertë të organizatës së ndalimit të armëve kimike OPCW janë nisur drejt Sirisë dhe do ta nisin hetimin e tyre të shtunën.

Në një konferencë për shtyp pas takimit të zhvilluar në Berlin me kryeministrin e Danimarkës, Lars Lökke Rasmussen, Merkel theksoi se janë kundër përdorimit të çdo arme kimike.

“Deri më tani nuk ka ndonjë vendim, por dëshiroj të theksoj se Gjermania nuk do të marrë pjesë në një operacion të mundshëm ushtarak në Siri, por do të tregojë çdo përpjekje tjetër për të dhënë sinjalin se përdorimi i armëve kimike nuk mund të lejohet”, tha Merkel.

Gjithashtu ajo ka theksuar se duhet të mendohet çdo masë kundër regjimit të Asadit, gjë e cila për Gjermaninë do të thotë se duhet të mbështeten punimet në mbledhjet e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe të Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike.

“Kemi luajtur rol të rëndësishëm edhe në asgjësimin e armëve kimike në Siri. Por, tani vërejmë se asgjësimi i këtyre nuk është realizuar plotësisht. Tani të gjitha masat duhet të merren në konsideratë. Në aspektin e Gjermanisë kjo do të thotë se ne do të mbështesim të gjitha aktivitetet e Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, u shpreh kancelarja e Gjermanisë.

Merkel, ka deklaruar se me presidentin francez, Emmanuel Macron, ka biseduar për çështjen e Sirisë dhe se ata do të qëndrojnë në kontakt për këtë çështje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat