Ligjvënësit amerikanë flasin për takimin Trump – Kim Jong Un

Bota

Ligjvënësit amerikanë flasin për takimin Trump – Kim Jong Un

Më: 20 prill 2018 Në ora: 17:46
SHBA

Presidenti i Koresë së Jugut Moon Jae-in thotë se ndjehet i inkurajuar prej lajmeve nga Pheniani për planifikimin e takimeve me udhëheqësin koreanoverior Kim Jong Un. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës për çështjet diplomatike, ligjvënësit amerikanë dhe ekspertët po japin mendimet e tyre për furinë e iniciativave diplomatike.

Presidenti koreanojugor Moon Jae-in thotë se Koreja e Veriut nuk po imponon kushte për takimet që do të zhvillohen me të dhe me Presidentin amerikan Donald Trump për çështjen e çarmatimit bërthamor në gadishullin korean. Zoti Moon thotë se ndër kushtet që Shtetet e Bashkuara nuk do të kishin pranuar, do të ishte p.sh. tërheqja e forcave amerikane nga Koreja e Jugut.

“Nuk kemi ndonjë shqetësim për bisedimet. E kuptojmë që dialogu ndër-korean është diçka e rëndësishme. Kanë shumë çështje të brendshme që duhet të diskutohen mes dy qeverive të tyre – çështje me rëndësi edhe për qytetarët e tyre”, tha zëdhënësja e Departmentit të Shtetit, Heather Nauert.

Në Kongres, Senatorët dhanë mendimin e tyre për takimin e planifikuar me Presidentin Trump, si dhe për vizitën në Korenë e Veriut të Drejtorit të CIA-s, Mike Pompeo.

“Koreja e Veriut ka qenë një problem i komplikuar për disa presidentë me radhë. Mike Pompeo gjendet në krye të përpjekjes së tanishme. Shpresoj të sjellë rezultate”, thot Senatori republikan Mitch McConnell.

Senatori McConnell thotë se administrata e presidentit Trump duhet të arrijë rezultate për programin e Koresë së Veriut, pasi nuk mbetet shumë kohë. Por, disa demokratë janë skeptikë. Megjithëse shpresojnë që takimi të dalë me sukses, ata dyshojnë që Presidenti të ketë një strategji koherente.

“Është e pamohueshme sidoqoftë që ky takim mbart rreziqe. Shqetësimi im kryesor është se Presidenti dhe tendenca e tij për marrjen e vendimeve të çastit, mund të vendosin në rrezik Shtetet e Bashkuara”, thotë Senatori demokrat Chuck Schumer.

Por, disa ekspertë janë më optimistë.

“Mendoj se takimi me Presidentin Trump do të shkojë mirë, në kuptimin se do të bien dakort në parim dhe ndoshta mund edhe të arrijnë diçka të madhe, si p.sh. SHBA-ja mund edhe të paraqesë një marrëveshje paqeje në rast se koreanoveriorët do të ndërmarrin hapa drejt heqjes së armëve bërthamore”, thotë Su Mi Terry, e Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

“Nuk mendoj se pala amerikane dëshiron të shkojë vetëm për një vizitë propagande. Në fakt, Presidenti Trump mundet edhe ta anullojë nëse koreanoveriorët duan vetëm këtë gjë”, thotë Dennis Wilder, i Universitetit Georgetown.

Presidenti Trump është optimist për takimin e planifikuar, por paralajmëron se nëse bisedimet nuk shkojnë siç ai shpreson, mundet edhe t’i ndërpresë./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat