Çfarë tani? Opsionet e Iranit pas vendimit të Trumpit

Bota

Çfarë tani? Opsionet e Iranit pas vendimit të Trumpit

Më: 10 maj 2018 Në ora: 07:22
Presidenti amerikan, Donald Trump.

Reagimi i Iranit ndaj vendimit të presidentit amerikan, Donald Trump, për t’u tërhequr nga marrëveshja bërthamore me Republikën Islamike, ka qenë i shpejtë dhe i zëshëm. Zyrtarët iranianë e kanë dënuar vendimin, ligjvënësit e kanë djegur flamurin amerikan dhe kanë thirrur “Vdekje Amerikës” në Parlament.

Por, pasi të kenë përfunduar reagimet e tilla, Irani ka vendime të vështira para vetes: të tërhiqet plotësisht nga marrëveshja e vitit 2015 me fuqitë botërore, të vazhdojë të veprojë në përputhje me të, së bashku me vendet e tjera që e kanë nënshkruar, apo të hyjë në negociata të reja me SHBA-në dhe të tjerët për një marrëveshje të re?

Rreziqet janë të mëdha pas tërheqjes së Trumpit nga marrëveshja, me të cilën Irani është pajtuar së bashku me fuqitë botërore: SHBA-në, Rusinë, Kinën, Francën, Britaninë dhe Gjermaninë, të frenojë aktivitetet e tij bërthamore, në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ndërkombëtare.

Scott Lucas, specialist për Iranin në Universitetin Birmingham në Britani, thotë se Irani do të mbetet në marrëveshje në afat të shkurtër, për të ruajtur përfitimet e tij politike dhe ekonomike.

“Irani mendon se nëse fuqitë evropiane vazhdojnë të tregtojnë me ne, të investojnë dhe të na ndihmojnë në rimëkëmbjen ekonomike, atëherë ne mbetemi në marrëveshje”, thotë Lucas.

Aleatët evropianë të Uashingtonit kanë thënë se do të mbeten në marrëveshje, por analistët thonë se nuk është e qartë se si është e mundur një gjë e tillë kur Trump ka thënë se do t’i rivendosë sanksionet kundër Iranit.

Sipas Thesarit të Shteteve të Bashkuara, sanksionet që godasin sektorin financiar të Iranit, të energjisë dhe të makinave, do të rivendosen brenda tre dhe gjashtë muajsh. Kjo do ta bënte të vështirë për kompanitë evropiane të bëjnë biznes me Iranin, pa rrezikuar gjoba të mëdha nga SHBA-ja.

Video: Ligjvënësit djegin flamurin amerikan

Kompania franceze e naftës Total ka qenë kompania më agresive perëndimore që është rikthyer në Iran, duke nënshkruar marrëveshje prej pesë miliardë dollarësh në muajin korrik, në afat prej 20 vjetësh. Ndërkaq, prodhuesi francezo-gjerman i aeroplanëve Airbus ka dërguar në Iran vetëm disa prej 100 avionëve, të paraparë me një marrëveshje me Republikën Islamike, në vlerë prej miliarda dollarësh.

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shtetet e Bashkuara, David O’Sullivan, ka thënë në të kaluarën se firmat evropiane mund të miratojnë “rregulla të bllokimit”, të cilat janë përdorur në të kaluarën për t’iu mundësuar subjekteve në BE të veprojnë, pavarësisht sanksioneve të SHBA-së në Kubë.

Sanksionet e SHBA-së do të jenë goditje e madhe për Iranin, pasi do ta bëjnë të vështirë për të të shesë natën e tij jashtë vendit ose të përdorë sistemin bankar ndërkombëtar.

Irani është anëtari i tretë më i madh i Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC) dhe prodhon rreth 3.8 milionë fuçi të naftës së papërpunuar në ditë, ose rreth 4% të furnizimit global.

“Vendimi i Trumpit do të rrisë çmimet e naftës dhe, potencialisht, do të dëmtojë ekonominë globale”, ka shkruar në Twitter Henry Smith, i cili udhëheq “Kontrollin e Rreziqeve”, një grup i konsultimeve për rreziqet politike në Lindjen e Mesme dhe në Afrikën e Veriut.

Irani po ashtu mund të rrisë rreziqet dhe të rinisë programin bërthamor, duke rikthyer frikën se ai do të përpiqet të zhvillojë bombën atomike.

Zyrtarët iranianë, të cilët vazhdimisht kanë thënë se programi i tyre bërthamore ka vetëm qëllime paqësore, kanë thënë se Irani mund të rinisë pasurimin e uraniumit nëse ndalojnë përfitimet ekonomike nga marrëveshja.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, ka thënë se Uashingtoni mund të punojë me aleatët evropianë për krijimin e një marrëveshjeje të re.

“Kjo është e mundur, marrë parasysh situatën e tmerrshme ekonomike në Iran, por kërkon kohë”, thotë Ali Ansari, profesor i historisë iraniane në Universitetin St. Andrews në Skoci.

Por, Lucas, analist nga Universiteti Birmningham, thotë se nuk ka mundësi për marrëveshje të re, sepse “amerikanët kanë zgjedhur konfrontimin”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat