Londra bën sikur nuk i sheh paratë e “pista” ruse

Bota

Londra bën sikur nuk i sheh paratë e “pista” ruse

Më: 21 maj 2018 Në ora: 09:26
Vladimir Putin

Britania e Madhe bëri një sy qorr ndaj parave të “pista” ruse, duke rrezikuar sigurinë kombëtare.

Akuzat e forta vijnë nga Komiteti për Çështjet me Jashtë i Dhomës së Ulët të Parlamentit britanik, në raportin e të cilit shkruhet se Londra po përdoret për të fshehur asetet e korruptuara të Presidentit Vladimir Putin dhe aleatëve të tij. Pavarësisht helmimit të ish-agjentit rus Sergei Skripal dhe vajzës së tij Julia, raporti thekson se biznesi vazhdon si më parë për Mbetërinë e Bashkuar, diçka që dëmton përpjekjet britanike për t’u përballur me spektrin e plotë të mjeteve ofensive të Putinit.

“Reagimi letargjik i Britanisë së Madhe po konsiderohet si provë që ne nuk guxojmë t’i ndalojmë. Tregjet e Londrës po mbështesin përpjekjet e Kremlinit”, deklaroi për mediat kreu i komitetit, deputeti konservator Tom Tugendhat para publikimit të raportit.

Raporti i bën thirrje ministrave që të hetojnë boshllëqet në regjimin e sanksioneve që lejojnë qeverinë ruse dhe individë të lidhur me Presidentin Putin të vazhdojnë të grumbullojnë fonde në Londër. Raporti që titullohet “Ari i Moskës: Korrupsioni rus në Britani”, i bën thirrje qeverisë që të tregojë lidership më të fortë politik dhe të marrë masa ndaj korrupsionit që vjen nga Kremlini, pasi dëmi që shkaktojnë paratë e “pista” ruse është shumë më i madh sesa fitimet e transaksioneve ruse në Londër.

Por, ministri i Sigurisë dhe Krimit Ekonomik, Ben Wallace tha se atij nuk i ishte kërkuar të fliste para komisionit, diçka që, sipas tij, dobëson bazat e raportit. /TCH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat