Barak dhe Mishel Obama po bashkëpunojnë me Netflix për të prodhuar filma, seriale dhe programe televizive. Gjiganti amerikan njoftoi se kishte lidhur një kontratë shumëvjeçare me ish presidentin dhe zonjën e parë.
Detajet e sakta lidhur me prodhimet nuk u bënë të ditura. Më vonë, edhe ish banorët e Shtëpisë së Bardhë pohuan në një deklaratë profesionin e tyre të ri.
“Një prej kënaqësive të thjeshta gjatë kohës së presidencës sime, ishte të takonim njerëz interesantë e t’i ndihmonim ata të ndanin eksperiencat me publikun e gjerë. Për këtë arsye, unë dhe Mishel jemi shumë të entuziazmuar partneritetin me Netflix. Shpresojmë të kultivojmë dhe të kujdesemi për zërat e talentuar, frymëzues dhe krijues, të cilët janë në gjendje të promovojnë empati dhe mirëkuptim më të madh mes njerëzve”, tha ish lideri amerikan.
Ndërsa bashkëshortja e tij pohoi se gjithnjë kishin besuar në fuqinë e historive për frymëzimin e njerëzve.
“Shërbimi i pakrahasueshëm i Netflix do të na mundësojnë të realizojmë historitë që duam të ndajmë me të tjerët dhe po presim me padurim të nisim partneritetin e ri”, ishin fjalët e Mishel.
Kur nisën të qarkullonin zërat për bashkëpunimin e mundshëm të çiftit Obama me Netflix më herët gjatë vitit, New York Times tha se ide e mundshme ishte moderimi i debateve nga ana e Mishel Obamës për çështje të tilla si kujdesi shëndetësor, ndryshimet klimatike dhe emigracioni. Por sipas gazetës, programi nuk do të përdorej për të sulmuar kritikët konservatorë apo Donald Trumpit.