Avioni i rrëzuar mbi Ukrainë, hetuesit: Përgjegjëse është Rusia

Bota

Avioni i rrëzuar mbi Ukrainë, hetuesit: Përgjegjëse është Rusia

Më: 24 maj 2018 Në ora: 12:36
Avioni “Boeing 777” i kompanisë “Malaysian Airlines” ishte duke udhëtuar nga Amsterdami drejt Kuala Lumpurit, kur u rrëzua mbi zonën e konfliktit në lindje të Ukrainës më 17 korrik të vitit 2014, e për pasojë të 298 personat në bord u shuan.

Hetuesit holandezë kanë njoftuar zbulimin e provave të pakundërshtueshme se, raketa që rrëzoi avionin e fluturimit “MH17” mbi rajonin lindor të Ukrainës në vitin 2014 është lëshuar nga një sistem raketor i ushtrisë ruse.

Avioni “Boeing 777” i kompanisë “Malaysian Airlines” ishte duke udhëtuar nga Amsterdami drejt Kuala Lumpurit, kur u rrëzua mbi zonën e konfliktit në lindje të Ukrainës më 17 korrik të vitit 2014, e për pasojë të 298 personat në bord u shuan.

Në vitin 2016, hetuesit holandezë njoftuan se kishin prova se, sistemi i raketave “BUK” i përfshirë në këtë incident kishte kaluar kufirin nga Rusia drejt lindjes së Ukrainës, e më pas ishte rikthyer sërish në tokën ruse pas rrëzimit të avionit.

Në konferencën për shtyp të mbajtur në Hagë gjatë kësaj të enjteje, policia dhe prokurorët holandezë treguan provat fotografike dhe filmike, që sipas tyre provojnë të kenë identifikuar sistemin specifik “BUK” për qëllimin e avionit.

Ata thanë gjithashtu se, tashmë kanë “prova ligjore dhe bindëse që mund të paraqiten përpara gjykatës”, se sistemi “BUK” i përfshirë në këtë tragjedi vjen nga Brigada e 53-të e raketave antiajrore që ndodhet në Kursk, në perëndim të Rusisë.

Më herët, faqja investigative “Bellingcat” kishte drejtuar gishtin e fajësisë ndaj së njëjtës brigadë, duke përdorur informacione “open source” (të pakoduara).

Zyrtarët rusë kanë mohuar përfshirjen në këtë incident, ndërsa media shtetërore ruse ka lëshuar një seri teorish të pambështetura në fakte e prova, për të sugjeruar se përgjegjëse për rrëzimin e avionit është Ukraina. Rusia ka shfrytëzuar edhe të drejtën e vetos në Kombet e Bashkuara, për të parandaluar tribunalin ndërkombëtar të përcaktojë fajtorin mbi këtë tragjedi, duke nënkuptuar kështu se çdo gjyq i mundshëm mund të zhvillohet në Holandë, bazuar në ligjet holandeze.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat