Fermerët amerikanë dhe tarifat mbi çelikun

Bota

Fermerët amerikanë dhe tarifat mbi çelikun

Më: 26 maj 2018 Në ora: 23:13
ilustrim

Ndërsa po lehtësohen tensionet e një lufte të mundshme tregtare dhe negociatat mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës po vazhdojnë, paqartësia rreth tarifave dhe ndikimit të mundshëm të tyre tek industria bujqësore amerikane po rëndon mbi fermerët. Tarifat kanë pasoja, jo vetëm për fermerët, por edhe kompanitë që i furnizojnë ato.

Kanë kaluar pothuajse dy dekada që kur fermeri nga Illinoi, Scott Halpin, bleu traktorin për të punuar token në fermën e tij.

Fatmirësisht, traktori që përdor familja e tij është mirëmbajtur dhe - deri më tani – ka qënë në gjendje pune. Halpin shpreson që kjo të zgjasë, pasi nuk e përballon dot koston e një traktori të ri.

Traktorët e gjelbërt dhe të verdhë që ka në pronësi Halpin, janë prodhuar në Amerikë nga kompania John Deere, me seli në Moline, të Illinoit.

Shitjet e firmës John Deere u rritën ndjeshëm në fillim të vitit 2018, por kjo ishte para se Shtetet e Bashkuara t’i vinin tarifa Kinës për aluminin dhe çelikun.

Tani firma John Deere, e cila përdor çelik në prodhimet e saj, planifikon të rrisë çmimet për modelet e vitit 2019 për të mbrojtur fitimet. Kjo do të thotë se do të jetë më e shtrenjtë për familjen Halpin të blejë një pajisje të re.

"Kostoja në rritje e pajisjeve shoqëruar me rënien e ekonomisë bujqësore tani na vë në një pozitë të vështirë. Ose nuk na lejon të bëjmë operacionet tonë bujqësore siç duhet", thotë fermeri.

"Kompanitë si John Deere dhe Caterpillar, me të vërtetë goditen në të dy anët e spektrit të mosmarrëveshjeve tregtare".

Mark Grywacheski është një këshilltar investimesh me kompaninë Quad Cities Investment Group dhe shpjegon se kostoja për fermerët dhe furnizuesit e tyre shkon përtej tarifave shtesë të vendosur nga Shtetet e Bashkuara prej 25 për qind për çelikun dhe 10 për qind për aluminin e importuar.

"Në se John Deere bën një blerje rutinë prej 10 milionë dollarësh çelik të importuar, tani ata duhet të paguajnë një çek shtesë prej 2.5 milionë dollarësh për qeverinë federale dhe kjo rrit koston e tyre të prodhimit. Nga ana tjetër, kemi Kinën që kërcënon Shtetet e Bashkuara me 150 miliardë dollarë tarifa… duke vënë në shënjestër kryesisht industrinë bujqësore amerikane. Kjo jo vetëm që ndikon tek fermerët, por edhe tek këto kompani që janë të lidhura me industrinë bujqësore".

Rritja e kostove për pajisjet bujqësore dhe shqetësimet rreth qasjes konkurruese në një treg të madh si Kina, e cila ka ulur çmimet për misër dhe sojë, po krijon një stuhi të përsosur ekonomike për fermerët.

"Rënia e tregut ka një efekt të përditshëm në çdo fermë në këtë vend".

Të njëjtën gjë bëjnë lajmet e pareshtura për rinegociimin e marrëveshjeve tregtare dhe tarifave. Ajo që Halpin dëshiron më shumë ... pothuajse aq sa moti i favorshëm këtë vit për të korrat e tij ... është njëfarë ndjenje stabiliteti.

"Me mënyrën si po shkojnë negociatat, çdo gjë na trondit me lajmet e përditshme. Janë kohë të paqëndrueshme për bujqësinë", thotë ai.

Edhe para vendosjes së tarifave të reja, Departamenti amerikan i Bujqësisë, kishte parashikuar se të ardhurat për vitin 2018 nga bujqësia do të ishin në nivelin më të ulët në 12-vjet./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat