Kina paralajmëron SHBA-në: Nuk zbatojmë marrëveshje tregtare nëse vendosni tarifa

Bota

Kina paralajmëron SHBA-në: Nuk zbatojmë marrëveshje tregtare nëse vendosni tarifa

Më: 4 qershor 2018 Në ora: 08:39
Foto ilustrim

Kina ka paralajmëruar Shtetet e Bashkuara se secila marrëveshje tregtare e arritur mes dy palëve nuk do të jetë e vlefshme, nëse Uashingtoni vendos tarifa dhe masa tjera për të cilat kërcënon tani e një kohë.

Këto deklarata janë bërë të ditura për publikun nga agjencia e lajmeve Xinhua më 3 qershor, pas përfundimit të një rrethi bisedimesh mes dy vendeve në Pekin.

Në deklaratë nuk është përmendur arritja e ndonjë marrëveshje në takimin e Sekretarit amerikan për Tregti, Wilbur Ross dhe zëvendëskryeministrit kinez, Liu He.

Deklaratat u janë referuar bisedimeve të zhvilluara muajin e kaluar në Uashington, në të cilat Pekini është pajtuar për “konsensus” tregtar, ashtu që të rritet dukshëm blerja e produkteve dhe mallrave amerikane në tregun kinez.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka përmendur disa herë suficitin tregtar të Kinës me SHBA-në, si dhe ka insistuar në ndryshime rrënjësore në marrëdhëniet tregtare mes dy fuqive botërore.

Shtetet e Bashkuara kanë kërcënuar me vënien e tarifave në vlerë të 50 miliardë dollarëve në produktet kineze, derisa Kina ka premtuar masën e njëjtë në shenjë hakmarrjeje, duke nxitur frikën te investitorët për nisje të luftës tregtare globale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat