Oxfam, raport për keqtrajtimin e fëmijëve emigrantë nga policia kufitare franceze

Bota

Oxfam, raport për keqtrajtimin e fëmijëve emigrantë nga policia kufitare franceze

Më: 15 qershor 2018 Në ora: 18:54
Ilustrim

Organizata bamirëse “Oxfam” thotë se policia franceze e kufirit po keqtrajton fëmijët emigrantë, të cilët kërkojnë të hyjnë në Francë nga Italia, duke i kthyer ata mbrapsht në kundërshtim me ligjin francez dhe atë të Bashkimit Evropian.

"Disa fëmijë madje, e kishin shuallin e këpucëve të prerë, përpara se të ktheheshin për në Itali", thotë një anëtar i stafit të Oxfam-it në një raport të sapo lëshuar me titull: "Askund, por jashtë".

"Policia u bërtet, qesh me ta, i shtyn dhe u thotë se nuk do të kaloni kurrë", thuhej nga një punonjës i organizatës. "Disa fëmijëve u janë konfiskuar telefonat celularë. Ata kanë humbur të gjitha të dhënat e tyre dhe madje nuk mund t'u telefonojnë as prindërve të tyre", shkruhej në raport.

Presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministri i ri italian Giuseppe Conte takohen të premten mes tensioneve që kanë përfshirë dy vendet lidhur me emigrantët.

Më parë gjatë kësaj jave, zoti Macron ishte kritik ndaj Italisë për mos pranimin e qindra emigrantë që ndodheshin në një anije shpëtimi, duke e quajtur sjelljen e Italisë "të papërgjegjshme". Ministri i ri i brendshëm italian Matteo Salvini iu kundërvu kritikave duke thënë se Franca duhet të marrë më shumë emigrantë dhe se zoti Macron “në vend të flasë, duhet të veprojë".

Të enjten zoti Macron tha se "është koha për veprim kolektiv" dhe se ai kurrë nuk "kishte patur për qëllim të ofendonte" Italinë.

Sipas raportit "Askund, por jashtë", rreth 16.500 refugjatë dhe emigrantë të tjerë po qëndrojnë brenda dhe rreth qytetit të vogël italian Ventimilja, shtatë kilometra nga kufiri francez. Një në katër emigrantë është fëmijë i pashoqëruar nga askush.

Raporti thotë se nuk ka asnjë "marrëveshje" që qyteti i Ventimilja-s të kujdeset për fëmijët e kthyer. "Pasi zbresin nga treni, ata lihen pa kujdesin e askujt".

Të rriturit dhe fëmijët shpesh detyrohen të kthehen në Itali. "Përgjatë rrugës, takuam njerëz që ecnin nën shi apo diellin përvëlues", thuhet në raportin e Oxfam-it. "Personi i fundit që takuam ishte një vajzë e re nga Eritrea që mbante në dorë foshnjën e saj vetëm 40 ditëshe".

Raporti thotë se policia franceze shpesh i ndryshonte dokumentet e fëmijëve të pashoqëruar për t'i bërë ata të dukeshin më të mëdhenj në moshë dhe i kthenin në Itali. Shumë prej fëmijëve po përpiqen të shkojnë tek familja dhe miqtë e tyre në Francë apo dhe vende të tjera evropiane, thuhet në raportin e organizatës bamirëse.

Oxfam-i ka nxitur Italinë, Francën dhe të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian që "të ndajnë përgjegjësinë për strehimin e azilkërkuesve në mënyrë më të barabartë, me qëllim garantimin e të drejtave dhe nevojave të tyre si dhe t'u jepet prioritet lidhjes me familjet dhe të afërmit që ata kanë".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat