Presidenti kinez lavdëron Kimin pas samitit të mbajtur me Trumpin

Bota

Presidenti kinez lavdëron Kimin pas samitit të mbajtur me Trumpin

Më: 20 qershor 2018 Në ora: 09:05
Lideri verikorean, Kim Jong Un (majtas) dhe presidenti kinez, Xi Jinping.

Presidenti kinez, Xi Jinping, ka lavdëruar liderin verikorean, Kim Jong Un, duke theksuar të arriturat “pozitive” të samitit të mbajtur me presidentin amerikan, Donald Trump, transmeton Reuters.

Gjatë takimit të tij të tretë me Kimin brenda një viti dhe vetëm një javë pas takimit të këtij të fundit me Trumpin në Singapor, Xi ka thënë se Kina ëshë e gatshme për të luajtur rol pozitiv në promovimin e procesit të paqes në Gadishullin Korean.

Vizita e Kimit në Kinë, vjen në kuadër të kontakteve të tij diplomatike dhe për dallim nga dy vizitat e mëparshme, qeveria ka njoftuar për prezencën e tij derisa ai ishte ende në Kinë, pa pritur që të kthehet në shtëpi.

Xi i ka thënë Kimit se ai është shumë i lumtur që ka parë rezultate “pozitive” pas takimit të tij me Trumpin, ka raportuar televizioni shtetëror kinez.

“Pavarësisht ndryshimeve të situatës ndërkombëtare apo rajonale, pozicioni i Kinës nuk do të ndryshojë përballë zhvillimit të marrëdhënieve me Korenë Veriore”, është raportuar të ketë thënë Xi.

Kim i ka thënë presidentit kinez se shpreson të punojë me Kinën dhe palë të tjera në procesin e paqes.

E pyetur për vizitën e fundit të Kimit në Pekin, zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Heather Nauert ka thënë se “jemi duke e vëzhguar me vëmendje” takimin.

Presidenti amerikan Trump dhe lideri verikorean Kim, janë takuar më 12 qershor në Singapor, në atë që është cilësuar samit historik në të dyja vendet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat