Trashëgimia e Annanit për barazi dhe të drejta jeton ende

Bota

Trashëgimia e Annanit për barazi dhe të drejta jeton ende

Më: 19 gusht 2018 Në ora: 12:18
Kofi Annan

Kofi Annan e la Organizatën e Kombeve të Bashkuara shumë herë më të angazhuar se ç’ka qenë në luftën kundër varfërisë, promovimit të barazisë dhe luftës për të drejtat e njeriut, e deri para vdekjes së tij të shtunën, ai fliste gjithnjë me zë të lartë e të fuqishëm që kombet të bashkëpunonin për të zgjidhur problemet dhe shqetësimet mbi rritjen e nacionalizmit.

Si Sekretar i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, nga viti 1997 deri në 2006-n, Annan pa si arritjet e tij më të mëdha, programet dhe politikat që implementoi për reduktimin e pabarazisë brenda dhe mes vendeve, për luftimin e sëmundjeve infektive dhe për promovimin e të drejtave të njeriut e mbrojtjen e civilëve nga krimet e luftës, përfshi gjenocidet.

Ai lançoi “Objektivat e Zhvillimit të Mijëvjeçarit” në OKB, gjatë një samiti me krerë botërorë të vitit 2000, për të ulur deri në përgjysmim varfërinë ekstreme, për të promovuar barazinë e femrave, për t’u siguruar që çdo fëmijë të sigurojë arsim të detyruar (cikli 9-vjeçar), për të reduktuar vdekshmërinë e nënave e foshnjave në maternitet, si dhe për ndaljen e përhapjes së AIDS-it, që të gjitha këto brenda vitit 2015.

Këto objektiva – shumë pak prej të cilave u përmbushën plotësisht, – u pasuan më tej nga një listë më e zgjeruar e “Objektivave të Zhvillimit të Qendrueshëm” të OKB-së për vitin 2030, ku shtohen edhe nevojat për veprim kundër ndryshimeve klimatike, energjinë e përballueshme dhe të pastër, si dhe promovimi i paqes dhe drejtësisë. Kjo listë e përditësuar është tashmë në fokusin kryesor të agjendës aktuale të Kombeve të Bashkuara.

Si shef paqeruajtës i OKB-së, përpara se të bëhej Sekretar i Përgjithshëm, Annan pranoi një pjesë të fajit për dështimin e trupave ndërkombëtare që ai dërgoi për parandalimin e gjenocideve në Ruandë, në vitin 1994, si dhe në Srebrenicë të Bosnjes, në korrik të vitit 1995.

Kur u bë shef i OKB-së, Annan lançoi doktrinën e “ndërhyrjes humanitare” për të penguar qeveritë dhe udhëheqësit e tyre të masakronin popujt e tyre. Në samitin e vitit 2005, përkundër kundërshtive nga disa vende, plot 191 kombe miratuan atë që u njoh si “përgjegjësia për të mbrojtur” civilët dhe të kthimi i vëmendjes ndaj krimeve më të rënda në botë, nga spastrimi etnik e deri te gjenocidi. Kjo doktrinë vijon të citohet vazhdimisht, por për habi të zyrtarëve të OKB-së, jo shpesh është implementuar.

Annan pati edhe një arritje të madhe, zgjerimin e punës së OKB-së në partneritet me bizneset, fondacionet, universitetet dhe shoqëritë civile. Kjo çoi në formimin e “Global Compact” në vitin 2001, kur Annan u kërkoi krerëve të koorporatave t’u përmbaheshin publikisht 10 parimeve në fushat e të drejtave të njeriut, punësimit, mjedisit dhe antikorrupsionit. Më shumë se 9.000 shefa ekzekutivë, më të mëdhenjtë në botë, iu bashkuan “Compact”-it, që vijon të tërheqë anëtarë të rinj, ndërsa “përgjegjësia koorporative” është bërë një pjesë kyçe e botës së biznesit.

Kur Annan i dorëzoi “fronin” e OKB-së Ban Ki-moonit, ai tha se do të vijonte të punonte mbi çështje afrikane, të drejtat e njeriut, ngrohjen globale dhe çështjet e qeverisjes, e ngrinte zërin shpesh kur ishte e nevojshme. Në një festë lamtumire, ai u shpreh: Ju mund ta nxirrni një njeri jashtë selisë së OKB-së, por nuk mundeni ta nxirrni OKB-në jashtë qenies njerëzore!

Përmes fondacionit të tij dhe si anëtar dhe kryetar i “Pleqve”, grupi i ish-udhëheqësve të shquar i themeluar nga Nelson Mandela, Annan vijoi të punonte dhe të ngrinte zërin. Në një takim të bordit editorial me “Associated Press” në maj të vitit 2017, ai shprehu shqetësim mbi numrin e lartë të vendeve të punës të humbura, e tha se shumë njerëz në mbarë botën kanë humbur besimin te politika dhe krerët e koorporatave, ndaj frikësohen se janë lënë pas dore.

Ai tha se, kishte ardhur koha për udhëheqësit e zakonshëm të shpjegonin se inovacioni dhe inteligjenca artificiale po u rrëmbenin vendet e punës atyre që kishin humbur një vend pune, e për pasojë atyre u duhej të ritrajnoheshin për mundësitë e reja që do të ofronte ekonomia në vijim.

“Nëse nuk inkurajojmë udhëheqësit, e mbi të gjitha të rinjtë, që të futen në politikë, e nëse nuk inkurajojmë udhëheqësit që të bëjnë punën e tyre, të udhëheqin, atëherë do të krijojmë një situatë normale, – paralajmëroi ai. – Kur udhëheqësit dështojnë të udhëheqin, populli udhëheq dhe i detyron ata t’i ndjekin. Por, askush nuk e di se ku do të na çojë populli udhëheqës, ndaj dhe mundet t’iu rrëzojnë edhe më keq”.

Ai u shpreh gjithashtu se politika e jashtme “të vetëm përpara” e presidentit amerikan Donald Trump po e dobëson Amerikën, ndërsa theksoi rëndësinë e multilateralizmit dhe rreziqet e nacionalizmave gjithnjë e më shumë në rritje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat