Bashkëpunëtori i fundit nazist i gjallë deportohet nga SHBA në Gjermani

Bota

Bashkëpunëtori i fundit nazist i gjallë deportohet nga SHBA në Gjermani

Më: 22 gusht 2018 Në ora: 07:07
Jakiw Palij

Një ish-bashkëpunëtor nazist, tashmë 95 vjeç, i cili ka shërbyer si roje i një kampi përqëndrimi, si pjesë e famëkeqes SS gjatë Luftës së Dytë Botërore, ka mbërritur në Gjermani pas një beteje të gjatë kundër deportimit nga Shtetet e Bashkuara.

Jakiw Palij ka qenë një qytetar pa shtetësi, që kur një gjykatës federal i revokoi atij nënshtetësinë amerikane në vitin 2003. Prej vitesh, Gjermania ka refuzuar ta pranojë atë, kjo për shkak se ish-bashkëpunëtori nazist nuk ka pasur kurrë nënshtetësinë gjermane.

Pasi mbërriti në Dyseldorf, ai u dërgua në një shtëpi përkujdesjeje ndaj të moshuarve, sipas asaj që bëjnë të ditur mediet gjermane. Ambasadori i Amerikës në Berlin, Richard Grenell lavdëroi “lidershipin e vendosur” të qeverisë së re gjermane dhe të presidentit Donald Trump, në zgjidhjen e kësaj çështjeje.

Autoritetet besojnë se Palij ka qenë bashkëpunëtori i fundit i gjallë nazist që jetonte në SHBA, ndërkohë që rezidenca e tij në zonën “Queens” të qytetit të Nju Jorkut është bërë shpesh shënjestër e protestave nga banorë të tjerë të zonës.

Palij thuhet të jetë lindur në një zonë të Polonisë, e cila në ditët e sotme i përket Ukrainës. Në vitin 1943, ai iu bashkua kampit stërvitor të SS-ve “Trawniki” në Poloninë e pushtuar nga nazistët. “Trawniki” ka qenë i njohur për keq për shkak se aty stërviteshin mijëra civilë nga zonat e pushtuara, të cilët më pas u bënë pjesë aktive e SS-së, sikurse edhe rojet e kampeve të vdekjes në Sobibor, Treblinka dhe Belzec.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat