Kina do t'i hakmerret SHBA-së për tarifat e reja tregtare

Bota

Kina do t'i hakmerret SHBA-së për tarifat e reja tregtare

Më: 18 shtator 2018 Në ora: 15:41
Ilustrim

Kina ka thënë të martën se nuk ka zgjidhje tjetër përveç se të hakmerret kundër tarifave të reja amerikane, duke rritur shqetësimet se presidenti amerikan, Donald Trump mund të vendosë shumë shpejt tarifa në pothuajse të gjitha mallrat kineze që blejnë banorët e Shteteve të Bashkuara, transmeton Reuters.

Deklarata e ministrisë kineze të Tregtisë, ka ardhur vetëm disa orë pasi Trump ka njoftuar për vendosje të tarifave prej 10 përqind në importet kineze në vlerë të 200 miliardë dollarëve, derisa ka kërcënuar se do të shtojë tarifat në mallra, në vlerë të 267 miliardë dollarëve, në rast se Kina hakmerret kundër masave amerikane.

Në këtë deklaratë nuk janë dhënë detajet për planet e Kinës, mirëpo zëdhënësi i ministrisë së Jashtme kineze, Geng Shuang, ka thënë se hapat e SHBA-së kanë rezultuar me “pasiguri” në bisedimet mes dy shteteve.

“Kina e ka theksuar gjithmonë se rruga e vetme për të zgjidhur çështjet tregtare mes Kinës dhe SHBA-së është përmes bisedimeve dhe konsultimeve të zhvilluara në baza të barabarta, të sinqerta dhe me respekt të ndërsjellë.

Mirëpo në këtë kohë, gjithçka që është duke bërë SHBA-ja nuk jep përshtypjen e sinqeritetit”, ka thënë ai.

Geng ka thënë se nuk do të komentojë “hipotezat”, e llojit se, çfarë masash mund të konsiderohen përveç tarifave në produktet amerikane, duke thënë se detajet do të publikohen në kohën e duhur.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat