Zhduket gazetari saudit, u zhduk pasi hyri në konsullatën në Stamboll

Bota

Zhduket gazetari saudit, u zhduk pasi hyri në konsullatën në Stamboll

Më: 7 tetor 2018 Në ora: 22:34
Jamal Khashoggi

Një gazetar kritik i ashpër i regjimit saudit është zhdukur pa lënë gjurmë pas hyrjes në konsullatën e vendit të tij në Stamboll.

Policia turke mendon se 59-vjeçari Jamal Khashoggi është torturuar në mënyrë çnjerëzore, është vrarë e trupi i tij është prerë në copa.

E gjithë kjo, sipas efektiveve turq, ka ndodhur brenda ndërtesës ku Khashoggi kishte shkuar të siguronte dokumentet zyrtare për ceremoninë e vet të martesës, që duhet të zhvillohej tani shpejt.

Burime policore pretendojnë se vrasja e 59-vjeçarit është filmuar e gjitha dhe videoja është nxjerrë jashtë vendit. Përpara ngjarjes, 15 shtetas sauditë, mes të cilëve edhe disa zyrtarë, rezulton të kenë mbërritur në Stamboll brenda ditës së martë me dy fluturime dhe kanë qenë në konsullatë në të njëjtën kohë me gazetarin.

Policia turke është e bindur se vrasja është kryer nga një ekip i dërguar në Stamboll posaçërisht për këtë qëllim e që më pas, është larguar nga qyteti brenda ditës.

Ankaraja njoftoi se ka nisur një hetim zyrtar mbi zhdukjen e Khashoggit. Zyrtarë të konsullatës saudite në Stamboll i kanë hedhur poshtë si të pabaza pretendimet e ekzekutimit. Gjatë kohës që 59-vjeçari hyri në konsullatë për të tërhequr dokumentet, e fejuara e tij turke Hatice Cengiz e priste jashtë, por thotë se ai nuk doli më prej andej.

Në artikujt e tij për Washington Post, Khashoggi ka qenë shumë kritik ndaj disa prej politikave të princit saudit të kurorës Mohammed bin Salman si dhe ndërhyrjes së Rijadit në luftën e Jemenit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat