Ja pse Anglia dhe Belgjika “duan” të humbin

Botërori 2018

Ja pse Anglia dhe Belgjika “duan” të humbin

Më: 28 qershor 2018 Në ora: 16:49
Ilustrim

Botërori vazhdon të dhurojë surpriza dhe të konfirmojë një ekuilibër të madh edhe në këto ndeshje të fundit të fazës së parë. Me fazën e grupeve që është praktikisht e mbyllur, tani tifozët presin me padurim ndeshjet e 1/8-ve. Një nga përballjet më interesante do të jetë ajo mes Argjentinës dhe Francës, që do të zhvillohet më 20 qershor në Kazan. Ndeshjet e fundit të Grupit G dhe H do të japin vendimet e fundit dhe të kompletojnë çiftet e fazës së dytë të Botërorit, atë me eliminim direkt, shkruan telesport.

Ata që do të ndjekin me shumë vëmendje zhvillimet e ndeshjeve të ditës së sotme, do të jenë tifozët e Anglisë dhe Belgjikës. Dy skuadrat janë pjesë e Grupit G, që e kryesojnë me pikë të barabarta. Kështu, të dy përfaqësueset do ta njohin kundërshtarin e ardhshëm pas ndeshjes së sotme. Kush do të fitojë, do të dalë në vendin e parë të grupit, ndërsa në rast barazimi, fituesi i grupit do të përcaktohet nga kartonët, për shkak se Anglia dhe Belgjika e kanë të njëjtë edhe diferencën e golave.

Më dy të verdhë kundrejt tre të “Djajve të Kuq”, anglezët janë favoritë për ta fituar grupin në rast barazimi. Por kjo mundësi nuk pëlqehet nga tifozët e Anglisë. Kombëtarja që do ta mbyllë në krye Grupin G, do të përballet me vendin e dytë të Grupit H (një mes Japonisë, Senegalit ose Kolumbisë) dhe në çerekfinale mund të ndeshet me Brazilin e Neymar. Me pak fjalë, të paktën në letër, rruga e skuadrës që do të dalë e humbur nga Angli-Belgjikë do të jetë më e lehtë.

Edhe pse askush nuk do ta pranojë kurrë, tek Anglia dhe Belgjika kanë filluar të bëjnë llogaritë. Për të arritur deri në fund, do të duhet edhe pak fat nga kalendari. Në fakt, vendi i dytë në Grupin G do të garantonte një rrugë më të lehtë, duke parë se në 1/8-at do të ndeshet me të parën e Grupit H dhe në çerekfinale me fituesen e Suedi-Zvicër.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat