Tabarez kërkon kokën e “Gjelave”

Botërori 2018

Tabarez kërkon kokën e “Gjelave”

Më: 6 korrik 2018 Në ora: 13:08
Tabarez kërkon kokën e “Gjelave”

Edinson Kavani ka zhvilluar stërvitjen e parë të kësaj jave me skuadrën. Megjithëse ka goditur topin dhe ka mundur të vrapojë, ai nuk do të jetë i grumbulluar për takimin e sotëm. Lajmin e ka konfirmuar, megjithëse pjesërisht, edhe trajneri Oskar Tabarez, i cili në konferencën e djeshme për shtyp sqaroi: “Kavani është një futbollist thelbësor për ekipin tonë dhe do të bëjmë durim për 24 orë të tjera që më pas të vendosim për aktivizimin e tij. E sigurt është që ai po bën maksimumin për të zbritur në fushë”.

Ndaj Francës statistikat janë nga ana e “Celestes”, por tekniku uruguaian nuk pranon statusin që i jep historia. “Në ndeshje si kjo nuk vlen historiku. Nuk jemi mendjemëdhenj, por nuk besoj se është e pamundur që të shpallemi kampionë botë, por duhet t’i marrim ndeshjet njëra pas tjetrës dhe llogaritë do të mund t’i bëjmë në fund”, tha “El Maestro”. Ai është një simbol i këtij Botërori për mënyrën sesi po e drejton skuadrën. Didie Deshamp nuk ia kurseu elozhet, teksa Tabarez tregon mirësjellje teksa i njeh meritat homologut: “Franca është një ekip me shumë talente që luajnë në klubet me të mira të botës.

Do të jetë një ndeshje e komplikuar kundër një ekipi me vlera. Do të na duhet të djersijmë edhe më shumë se në ndeshjet e tjera pasi sa më shumë kalojnë turet aq më e vështirë bëhet situata. Edhe ne kemi cilësi, ndaj ka ardhur momenti të tregojmë se cilët jemi “. Në fund tekniku uruguaian foli edhe për arbitrin e ndeshjes, argjentinasin Pitana për të cilin tha: “Nuk ka të bëjë që është argjentinas, ai do të bëjë detyrën e tij si profesionit. Për ne nuk është një favor përzgjedhja e tij".

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat