Rakitic: Do ta bëj tatuazh në ballë, nëse Kroacia fiton Kupën e Botës

Botërori 2018

Rakitic: Do ta bëj tatuazh në ballë, nëse Kroacia fiton Kupën e Botës

Më: 14 korrik 2018 Në ora: 12:13
Ivan Rakitiç

Ivan Rakitiç ka bërë shaka, se trofeun do ta bëjë tatuazh në ballin e tij, nëse Kroacia do të fitojë Kupën e Botës.

Kombëtarja ballkanase do të përballet të dielën me Francën, në finalen e parë të saj në një Botëror, në Moskë. Rakitiç ka qenë një nga lojtarët e spikatur për ekipin e Zlatko Dalic, së bashku me partnerin e mesfushës, Luka Modriç.

Dhe Rakitiç sugjeroi se ai do ta përjetësonte suksesin e Kroacisë në një mënyrë të veçantë, nëse ekipi i tij e mund Francën në finale. Po si do ta bëjë këtë? “Në ballin tim, – u tha Rakitiç gazetarëve, kur u pyet nëse planifikonte një tatuazh, nëse Kroacia triumfon. – Ka mjaft hapësirë, siç mund ta shihni, por së pari do të duhet të pyes gruan time.

Sinqerisht, e kam këtë ndjenjë, se do të ketë qindra-miliona njerëz, që rrënjosen për ne. Kam pasur mesazhe nga Argjentina, Spanja, Gjermania, nga të katër anët e botës. Ajo që me të vërtetë më bën të lumtur është se njerëzit nuk do ta imagjinonin kurrë të festonin një gol të shënuar nga ekipi i tyre kombëtar. Ne kemi treguar se jemi finalistë të merituar, duam t’i tregojmë botës sa vlejmë dhe për këtë do të japim gjithçka në fushë”.

Kroacia ka shkuar në kohë ekstra në të tria ndeshjet e fundit të këtij Botërori, duke triumfuar me penallti ndaj Danimarkës dhe Rusisë, para se të mposhte Anglinë 2-1, në gjysmëfinale. Por Rakitiç hodhi poshtë sugjerimet se Kroacia mund të vuajë nga lodhja kundër Francës, e cila, gjithashtu, ka pasur një ditë shtesë pushimi, që nga ndeshja e saj e fundit.

“Do të kemi energji të tepërt, mos u shqetësoni për këtë. Kjo është një lojë historike, jo vetëm për ne, por për të gjithë ata që janë kroatë, – tha Rakitic. – Do të jemi 4.5 milionë lojtarë në fushë, ne do ta mbajmë njëri-tjetrin. E dimë që kjo është loja më e madhe e jetës sonë dhe duam të japim gjithçka. Ju vetëm duhet të shikoni pamjet që vijnë nga Kroacia. Ky gëzim i ndjerë nga njerëzit, që nga dita e parë, kur u nisëm për në Rusi, ishte i pabesueshëm.

Nuk mund ta përshkruash dot me fjalë. Uniteti, krenaria, është e pabesueshme. Unë mendoj se të gjithë e meritojmë këtë. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me 23 lojtarë, trajnerin tonë, stafin, mjekët, gazetarët, por me 4.5 milionë kroatë. Ky lloj angazhimi ka qenë në çdo lojë. Nëse do të kishte një stadium mjaft të madh për 4.5 milionë njerëz, do të ishte plot e përplot”.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat