Çiklizëm, medalje ari për belgun Van Avermaet

Çiklizëm

Çiklizëm, medalje ari për belgun Van Avermaet

Më: 6 gusht 2016 Në ora: 21:32
Në finish, belgu që pak ditë më parë deklaroi për gazetarët se shanset që ai të fitonte arin ishin vetëm 5%, arriti të digjte danezin me një sprint të pabesueshëm.

Duhej të ishte olimpiada e Vincenzo Nibalit por peshkaqeni nga Kalabria nuk arriti të realizonte ëndrrën për të fituar medaljen e artë në olimpiadë pasi u rrëzua 11.8 km nga fundi i garës, duke i ndezur dritën jeshile belgut Greg Van Avermaet, i cili fiton medaljen e artë në garën çiklistike të rrugës. Me kohën 6 orë, 10 minuta e 54 sekonda, çiklisti belg arriti të ngjitej në shkallën e parë të podiumit pas një gare epike që gjithsesi nuk foli me gjuhën e të mëdhenjve. 237 km me terrene të kombinuara malore, dushore dhe kodrinore që gjarpëruan mes rrugëve të fshatrave përreth Rios. Gara nisi nga plazhi i Copacabanas ku edhe përfundoi pas një cikli të gjatë ku danezi Jakob Fuglsang arriti të renditej në vendin e dytë, ndërsa polaku Rafal Majka nuk arriti të mbante ritmin e rivalit belg në kilometrat e fundit, duke lëshuar terren për t’u renditur përfundimisht në shkallën më të ulët të podiumit.

Në finish, belgu që pak ditë më parë deklaroi për gazetarët se shanset që ai të fitonte arin ishin vetëm 5%, arriti të digjte danezin me një sprint të pabesueshëm. Alejandro Valverde, Fabio Aru por edhe Chris Froome u dorëzuan përballë freskisë së pjesës tjetër të çiklistëve, dukshëm të lodhur për shkak të faktit se vetëm pak ditë më parë ata shpenzuan pothuajse gjithë energjitë në rrugët e Francës për turneun më të rëndësishëm sezonal. Kampioni në fuqi i Tour de France e mbylli garën në vendin e 13, ndërsa italiani Nibali që arriti të ruante kryesimin deri pak km larg finishit, u përfshi në aksidentin me kolumbianin Henao. Ky ishte edhe kulmi i garës së rrugës që gjithsesi nuk kaloi pa incidente pasi në pjesë të caktuara të itenerarit u dëgjuan disa shpërthime edhe pse nuk pati vend për panik pasi bëhej fjalë për shpërthime të kontrolluara nga policia. Medalja e parë e artë për Belgjikën në këtë olimpiadë dhe suksesi më i madh në karrierën e 31-vjeçarit Greg Van Avermaet, i cili e mbylli Tour De France 2016 në vendin e 44.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat