Çiklisti i Tiranës dominoi në etapën e parë ‘Tour de Kosova’

Çiklizëm

Çiklisti i Tiranës dominoi në etapën e parë ‘Tour de Kosova’

Nga: Kemajl Goca Më: 25 gusht 2016 Në ora: 18:02
Pamje nga një garë

Etapa e parë e ‘Tour de Kosova’ në çiklizëm, u përshkrua me rivalitet dhe me një cilësi të mirë.  Çiklisti i Tiranës, Ylber Sefa, dominoi në etapën e parë që u zhvillua në relacionin Ferizaj-Kamenicë-Gjilan, me gjatësi të shtegut 115 kilometra. Ndërkaq, çiklistët e Kosovës bënë paraqitje mjaft të mirë dhe aktualisht kryesojnë në renditjen ekipore.  Avni Nuha, kryetar i Federatës së Çiklizmit të Kosovës, është i kënaqur me etapën e parë të garës sidomos me sigurimin e shtegut nga ana e policisë. Ai tregon se cilat janë edhe arsyet që nuk morën pjesë çiklistët nga Malta, Gjermania dhe Italia. Sefa arriti i pari në cak me kohë shumë më të mirë,  2:55:35 orë, duke lënë pas Egzon Misinin e Kosovës që pati kohën për 3:04:35 orë. Në vend të tretë renditet garuesit nga Velo-M nga Kumanova, Nikolla Lefkov, i cili pati kohën për 3:04:35 orë. “Në përgjithësi ishte garë shumë e mirë. Çiklistët tanë treguan formë të mirë. Etapa e dytë do të zhvillohet me 26 gusht në relacionin Ferizaj-Shtime-Skenderaj-Klinë – Gjakovë, me gjatësi të shtegut 140 kilometra. Është një etapë mjaft e vështirë, por gjithësi se presim një rivalitet të madh në mes të çiklistëve”, tha Nuha për gazetën kombëtare “Bota sot”. “Ekipi i Kosovës kryeson ne renditjen tabelore dhe shpresojmë të jemi këtu deri në fund.  Në garën e 16-të më radhë ndërkombëtare marrin pjesë dy ekipe nga Shqipëria, Tirana dhe Besa e Kavajës, dhe nga Maqedonia, Velo-M e Velesi.  Ndërkaq, përveç kombëtares së Kosovës garojnë edhe AS Prishtina dhe Trepça nga Mitrovica”, tregon Nuha. “Sipas konfirmimit që kemi, garuesit nga Malta nuk kanë ardhur për shkak të obligimeve që kanë në shtetin e tyre, ndërsa çiklistët gjerman kanë pasur një aksident në një garë të tyre”, tregon Nuha.  Kryetari i federatës tha se qëllimi kryesor është që t’i përgatisin çiklistët për garat në nivel edhe më të lartë. “Synimi ynë është të bëjmë disa risi dhe të mendojnë për shtigjet e gjata.  “Mendojmë vitin tjetër t’i dërgojmë disa çiklist tanë në garat jashtë vendit dhe të fitojnë një përvojë. Sepse çiklistët e rinj që morën pjesë në etapën e parë treguan se nuk ka të pazëvendësueshëm në kombëtare. Misioni ynë është të kemi sa më shumë çiklist me kualitet”, tha Nuha.

Etapa e parë

1. Ylber Sefa (Tirana)      2:55:35 orë

2. Egzon Misini  (Kosova)      3:04:35

3. Nikolla Lefkov (Velo-M)    33:04:35

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat