Kontribut i rëndësishëm i shqiptaro-amerikanëve

Diaspora

Kontribut i rëndësishëm i shqiptaro-amerikanëve

Më: 22 shtator 2012 Në ora: 10:55

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga mori pjesë sot në manifestimin e shënimit të 16-vjetorit të aktivitetit të Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (NAAC), me ç’rast iu drejtua të pranishmëve me një fjalë rasti.“Kontributi i shqiptarëve të Amerikës dhe i miqve tanë, kongresistë, senatorë, intelektualë dhe veprimtarë të të gjitha fushave është shumë domethënës për vetëdijesimin e opinionit te brendshëm dhe te jashtëm, për krijimin e platformës së drejtë dhe tërësisht civilizuese. Falënderoj për angazhimin dhe për prezencën këtu juve kongresist i nderuar Eliot Engël, ambasadore Rozmari Di Karlo, ambasador Frank Vizner, zëvendës ndihmës sekretar i shtetit Filip Riker dhe juve të gjithë të tjerëve qe e forconi bashkëpunimin në idealet e përbashkëta tonat.

Ne këtë ditë jam e nderuar të kujtojmë shëmbëlltyrën e djemve të batalionit “Atlantiku”, që kapërcyen oqeanin për t’i dalë zot Kosovës në lirinë e saj.

Rruga jonë drejt lirisë ishte plot sakrifica, që kulmin e arriti me luftën e lavdishme të UÇK-së, të komandantit legjendar Adem Jashari, të bijve dhe të bijave më të mira të atdheut. Platforma jonë politike, internacionalizimi i çështjes së Kosovës, u bë në sajë të lëvizjes intelektuale dhe gjithë popullore të udhëhequr nga Presidenti i parë i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, që me programin largpamës për liri, pavarësi dhe demokraci mobilizoi popullin me politikën aktive paqësore.


Në këtë vit të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, populli shqiptar është i lirë dhe zot i vetvetes kudo që jeton. Sot kemi një bashkëpunim të fuqishëm në të gjitha fushat që do ta zhvillojmë për prosperitet, për paqe dhe stabilitet për bashkëpunim dhe fqinjësi të mirë me të gjithë popujt dhe me të gjitha vendet.


Nëse shekulli XX mbahej mend për shpalljen e pavarësisë dhe krijimin e shtetit shqiptar, shekulli XXI shënohet me shpalljen e pavarësisë së Republikës se Kosovës. Këto dy vepra madhore patën sukses fal ndihmës së SHBA-së, presidentëve Wilson, Klinton dhe Bush dhe miqve tanë ndërkombëtarë.


Të nderuar bashkëkombës të mi, të nderuar miq amerikanë, Ne po ndërtojmë shtetet demokratike me vizionin e qartë, të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, në familjen e popujve të lirë, të dinjitetshëm dhe të barabarte, dhe anëtarësimin në NATO, në Aleancën më të fuqishme, që me intervenimin e saj , parandaloi gjenocidin dhe ktheu popullin në trojet e veta. Republika e Kosovës dëshiron, të bëhet anëtare e OKB-së, sepse kështu e përmbyllim me sukses dhe në mënyrë të drejtë një kapitull të historisë, të punojmë për kauzën në të cilën besojmë. Për paqe, prosperitet, bashkëpunim dhe solidaritet ndërmjet njerëzve”, tha ndër të tjera presidentja Jahjaga në manifestimin e organizuar me rastin e 16-vjetorit të themelimit të Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat