Kryeministri për gjynah !!!

Diaspora

Kryeministri për gjynah !!!

Nga: Gëzim Muçolli Më: 30 tetor 2013 Në ora: 11:15

Nuk është lehtë sot në shekullin 21 të jesh turk në shtetin emergjent aziatik me zhvillim të theksuar. Sepse edhe në Turqi ku shumica i thonë njëri-tjetrit "vëlla" dinë të tregojnë se nuk ke prejardhje turke.kjo vlen sidomos për miliona kurdë(të urryer pa masë) dhe për arnautët që edhe pse janë me miliona ,mazallah t'iu lejojnë të hapin ndonjë shkollë në gjuhën shqipe.
Të jesh kryeministër i këtij shteti të madh ( në krahasim me vendet tona të Gadishullit Ilirik) nuk është aq e lehtë siq mund të paramendohet.
Në vendin e miliona "vëllezërve" ( për çudi harrojnë të përmendin se vëllezërit kanë edhe motra) nuk është e thjeshtë të jesh "vëllau i madh, bile më i madhi nga të gjithë vëllezërit tjerë.Kjo do të thotë se je "Big Brother" i gadishullit që me një këmbë mbështetet në Evropë.
Kryeministri i gjithë qytetarëve "vëllezër" duke pasur shumë obligime dhe qasje plot dëshirë ndaj Unionit Evropjan ,neve këndej prej Bosforit e deri në Skandinavi na përcjell telenovela turke ku duket se i kanë të gjitha hallet dhe dertet njësoj sikur edhe qytetarët tjerë të Evropës. Nganjëhere na përcjellë edhe rrëfimet e haremit të Sulejmanit i cili edhe pse e quanin sulltan i madhërishëm, e pamë se pikërisht nbë raport me gratë e haremit nuk ishte edhe aq i lakmueshën në "madhërinë" e tij.
Nuk është çudi pse bashbakani turk deshi ta ndalojnë këtë serial. Jo pse artistët e bukur(të zgjedhur për merak) nuk po jepnin profitin e tyre por pse më i madhi "vëlla" ka për detyrë që ta ruajë kohezionin e kombit,dmth votuesve të tij. Dhe meqë të rinjtë nuk po presin shumë dhe po e shohin se rruga drejt Unionit Evropjan po zgjatet pak si tepër , edhe nuk po rrijnë urt por për "disa" drunj që dikush mund ta kalonte shumë mirë dimrin duke i djegur për ngrohje,ata turqit e rinj,evropjanët e rinj desh e kallën gjithë Turqinë, vetëm për të ndaluar shkatërrimin e parkut ku do të ndërtohej një qendër e re tregtare.
Kryeministri nuk shkëputet nga tradita historike perandorake e cila i ndihmon të mbush kutijat e votimeve por e largon Republikën nga themelet fisnike kur turqit thonin se kishin "babë",pra kishin Kemalin, Ata-turkun.
Ai nuk harron se duhet të ketë kujdes e t'ua bëjë qejfin edhe krahut më të ngurtë të rrymave fetare karakteristike të këtij regjioni. Ai mjaftohet të jetë i dukshëm sikur flamurtari që valëvit flamurin, dhe flamur të pushtetit të tij e ka bërë shaminë e cila duhet ti mbulojë gratë duke i dhënë karakter absolut fetar këtij akcesori të modës duke e fallsifikuar si identitet të dallimit fetar.
Ai duke pasur ndjenjën e përgjegjësisë si i madhi nga vëllezërit e shtetit të vet, del dhe lejon përdorimin e shamisë gjithë aty ku don vetë, sikur nuk paska tjetër problem kjo shoqëri. Bile ai jep edhe shembullin e vet personal duke e marrë me vete zonjën e parë të shtetit e cila gjithmonë del e mbuluar me shami.
Dhe deri këtu çdo gjë duket se shkon në rregull!
Por , meqë ky kryeministër ka gjetur “vëllezër” tjerë edhe në ish krahinat e perandorisë otomane që tashmë e një shekull janë shtete evropjane, ai erdhi "vëllazërisht" t'ju ndihmojë që të gëzojnë hapjen e objektit të Aeroportit , ku personalisht ka rëndësinë e drejtuesit të investimeve dhëndërri i tij. Festa vazhdoi në qytetin jugor të Kosovës, i njohur për Lidhjen e tij të famshme kur iu kërkua sulltanit mëvehtësia e trojeve etnike shqiptare para 135 viteve.
Jo ai nuk erdhi në festën "Lidhja është gjallë" por erdhi të ndihmonte "pak" edhe një “vëlla” tjetër i cili don ti del llogaria mirë me votat dhe të udhëheqë Prizrenin edhe katër vite të tjera.
Siq e do zakoni, e thirrën edhe “vëllaun e madh” nga Turqia ta mirrte fjalën para masës së njerëzve të tubuar që po dëgjonte fjalën e kryeministrave shqiptarë të Ballkanit. Nuk ishte e lehtë përballja me emocionet as për faktin se ai aty ishte me rolin e "asnjëjësit". Aty kishte edhe shumë rini, kishte edhe pleq,kishte edhe me mjekrra edhe pa mjekrra,me flamuj shtetror të tri shteteve dhe sidomos me flamuj të partisë që e ka "huazuar" kryetarin e Prizrenit. Aty dy kryeministrat shqiptarë kishin marrë me veti gratë e tyre e poashtu edhe zonja e parë e Turqisë ndodhej aty. Bile prezenca e saj ishte mëse e dukshme jo vetëm nga ngjyra e veshjes së saj që ia mbulonte edhe kokën.Kurse zonjat e nderuara të prijësve shqiptarë po rrezatonin hijeshi dhe emancipim,duke e vënë në pah krahasimisht dukjen ngapak edhe ekzotike të mysafires..
Siq duket edhe kjo punë pos raportit meteorologjik që nuk përputhej me veshjen e vuri pak në siklet kryeministrin turk.. Por politikani i rryer e din se masa e ka çmimin e vet dhe ky çmim realizohet më së miri me llafe. Dhe ai disa fjalë i tha , e nga dashuria që gjindej midis “vëllezërve” na kujtoi të gjithëve se “Kosova është Turqi “ e bile na tregoi edhe atë që nuk e paskemi ditur se edhe “Turqia është Kosovë” !
Tash ti lëmë anash gjithë kritikat dhe lavdatat që u gërshetuan në këto dy-tri ditë sepse thënë politikisht ato do ti ngelin “folklorit politik” aktual. Ka njerëz që pëlcasin kur i kritikon dikush por politikanët janë racë tjetër. Ata janë të vetëdijshëm se çdo çudi zgjat deri në tri ditë e se popujt e vegjël kanë tendencë që jo rrallë të harrojnë.
Kishte edhe të tjerë që thane se ky po folka sikur kolegu i tij nga shteti fqinj që kufizohet me Kosovën. Asgjë e re për ne, sepse jemi mësuar qe shumë vite me parrullën bajate “Kosova është Serbi”. Mirëpo pikërisht fqinji ynë të cilin as në kohën e Titos nuk mundëm ta bëjmë “vëlla”, nuk ishte mësuar që dikush tjetër të thotë se Kosova është si shteti i vet.
Dhe filluan presionet e tipit si pyka e qet pykën dhe të diellën e sotme doli personi i dytë i shtetit turk dhe tha se nuk e paskan përkthyer mirë fjalimin e Rexhep “vëllaut”.
Jo rrallë është thënë se edhe shqip kur flasim nganjëherë vështirë merremi vesh, se lene më turqisht. Aha,e kishin gjetur fajtorin në personin e përkthyesit. Nuk është çudi kur dihet se në Kosovë “turkqen” e kanë folur në mënyrë të çoroditur ato familje që të zbritura në Prizren nga ndonjë bjeshkë donin të dukeshin sa më shpejt “sheherli”.
Lexuam se turku i paska “hangër” fjalët e veta duke u arsyetuar me paaftësinë e përkthyesit e edhe se tash qenkan friguar nga reagimi serb.po askush nuk përmendi se edhe Serbia i ka vëllezërit e vet,bile edhe nënën e vet, Rusinë, e cila pak si shpesh po kollitet mbi Ballkan duke iu dalë zot interesave serbe. Turku për Serbinë nuk ndien fort por i tutet kollit të keq të Rusisë, e cila shpesh ia ka rregulluar hartat gjatë historisë.
Fakti që Kryeministrit turk i doli shumë problem me ta, na shtini të gjithë në gjynah.
Pra pak faji i përkthyesit , pak mikpritja e madhe .pak ballafaqimi me faktin se muslimanët mund të jenë të mirë edhe pa vu shamija në kokat e grave, sikur afrohet te zgjidhja e shkaqeve që e shtynë deri te ballafaqimi me kuazi incidentin diplomatik me partnerët sllavë.
E Kryeministri nuk është gjithmonë asnjëjës sepse edhe ai ka shpirt njeriu, dhe është i ndijshëm sidomos kur ka përpara zonja të dalluara,siq shihet në fotografi me çiftin mbretëror të Katarit, ku duke biseduar me gruan e bukur të sheikut,zonjën Mazah ,nuk dinte se ku ta vendoste shikimin e tij të “vëmendshëm”.E zonja Mazah , muslimane e zonja dhe elegante,është e njohur për faktin se vishet me rrobat e dizanjuara nga Valentino. Sheiku i Katarit në shenjë dashurie i bleu gruas së tij komplet shtëpinë e modës Valentino , si për inat të atyre që duan të gënjejnë se femrat duhet të vishen vetëm me veshje të përshtatshme për shkretëtirat arabe.E zonja Mazah në vend të shamisë aq të politizuar përdorë një mbulesë minimale si akcesor mode që i jep shprehje elegancës ,bukurisë dhe intelegjencës së saj.
Herën e ardhshme kushedi se çfarë do të dëgjojmë apo do të shohim nga udhëheqësi i republikës së “vëllezërve” turq. Shpresoj se jo shprehje që do t’ju nxjerrin problem me përkthyes.Sepse në Ballkan gjuha është sherr që (shpesh herë) na bashkon.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat