Presidenti Rugova: Ky tempull do të rrezatojë paqe, dashuri, mirësi dhe solidarësi të veprës së Nënës Tereze

Diaspora

Presidenti Rugova: Ky tempull do të rrezatojë paqe, dashuri, mirësi dhe solidarësi të veprës së Nënës Tereze

Më: 20 gusht 2016 Në ora: 19:27
Presidenti Ibrahim Rugova me Nënë Terezën

Prishtinë, 29 gusht 2003 - Në kuadër të manifestimeve "Ditët përkujtimore të Nënës Tereze - 2003", sot në periferi të Prishtinës, (afër fshatit Hajvali), Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova vuri gurthemelin e "Tempullit të paqes", kushtuar humanistet së madhe shqiptare, Nënës Tereze. Merrnin pjesë edhe ministri italian për çështje të Bashkimit Evropian, Roko Butilione, ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës Mark Sopi, autori i këtij prejekti, arkitekti italian Umberto Trenta dhe mysafirë të shumtë.


Presidenti Rugova, duke folur në këtë solemnitet, tha se vënia e gurthemelit të "Tempullit të paqes i Nënës Tereze" do të jetë sot një moment i madh dhe një datë e shënuar për Kosovën. "Ky tempull do të jetë më i madhërishëm, sepse e mban emrin e Nënës sonë të madhe Tereze, nobilistes së paqes, dhe i kushtohet asaj", tha Presidenti Rugova, duke theksuar se "ky tempull do të rrezatojë paqe, dashuri, mirësi dhe solidarësi të veprës e të figurës së Nënës Tereze. Ky tempull po nis sot, në vitin e shenjtërimit të Nënës Tereze, të Nënës shqiptare, të Nënës së njerëzimit, të Nënës universale".


Në vazhdim Presidenti Rugova nënvizoi se "ndërtimi i këtij tempulli do të thotë se Kosova ëshë vend i paqes, dhe populli i saj është paqësor. Do të thotë se Kosova po ndërton paqen dhe lirinë e vet', tha ai.


"Kosova ka traditë paqësore. Për më shumë se dhjet vjet, e frymëzuar nga Nëna Tereze, Kosova ndërtoi një rezistencë dhe lëvizje paqësore për liri e pavarësi, dhe shtetin e vet që u mbrojt nga kosovarët dhe miqtë tanë SHBA-të, Bashkimi Evropian dhe NATO", tha Rugova, duke shtuar: "Sot Kosova është e lirë, ndërton ardhmërinë e vet dhe pret njohjen formale të pavarësisë, që do të sillte paqe, dhe do të qetësne këtë pjesë të Evropës dhe të botës".


Presidenti Rugova tha se "ky tempull do të bëhet edhe një vend për bashkimin e të rinjve të Kosovës, një objekt - shtëpi e kulturës, të paqes e dashurisë për njëri tjetrin, i mësimit të mirësisë që është filozofi bazë e Nënës Tereze. Ky tempull do ta zbukorojë kryeqytetin dhe Kosovën, do të jetë në shërbim të saj, sipas shembullit të Nënës Terze që i shërbeu Kombit të vet dhe i shërbeu gjithë njerëzimit", tha në fund Presidenti Rugova, duke e përmbyllur me fjalët: "Zoti e bekoftë Tempullin e Nënës Tereze! Zoti e bekoftë Kosovën"!


Ndërkaq, ministri italian Roko Butilione tha se për të është një gëzim dhe nder i madh që të jetë sot në mesin e qytetarëve të tubuar. "Gëzimi dhe nderimi im është edhe më i madh kur jam në mesin tuaj nën hijen dhe në praninë e Nënës Tereze", tha ai. Mirëpo, ai tha se është njeri i politikës, por politika bëhet me atë që është e pranishme në zemrën e njerëzve: se në zemrën e urrejtjes është urrejtja, se në zemrën e njerëzve është dëshira për hakmarrje, në zemrën e njerëzve është dhuna, andaj asnjë njeri politik nuk do të arrijë ta ndërtojë paqen.
Ministri italian tha se Nëna Tereze i kishte thënë se paqja është dhuratë e Zotit dhe ai u kumton dhe u dhuron njerëzve, prandaj politika ka nevojë për uratë, për këtë ka nevoja Evropa. 


"Ne jemi thellë të bindur se Evropa është fati i Kosovës. E di se shtegtimi drejt Evropës është i gjatë, vështirësitë janë të shumta... por ne e dimë se ju jeni Evropë dhe ju keni të drejtë në Evropë dhe jeni qytetarë të saj dhe keni të drejtë të jeni pejsëmarrës të plotë në atë që është bashkimi Evropian", tha ministri Butilione.


Imzot Mark Sopi theksoi se nëpërmjet ndërtimit të tempullit të paqes të Nënës Tereze, populli i Kosovës tregon se është popull paqedashës. Bota do ta kuptojë se populli shqiptar është paqedashës. "Ne dëshirojmë një Kosovë me prosperitet sa më të madh në të ardhmen me të gjithë fqinjët, për të parë bota ne jemi njerëz të paqes dhe duam që paqja të përhapet", tha Imzot Mark Sopi.


Foli edhe arkitekti Trente, i cili e ka projektuar Tempullin e paqes.
 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat