Vetëvendosje Suedi: Kundërshtimi me 1 shtator, borxh ndaj brezave që vijnë

Diaspora

Vetëvendosje Suedi: Kundërshtimi me 1 shtator, borxh ndaj brezave që vijnë

Më: 31 gusht 2016 Në ora: 16:30
Vetëvendosje Suedi

Historia më e re e Kosovës, sidomos shtatëmbëdhjetë vitet e fundit, është manifestuar me koncesione të vazhdueshme joparimore ndaj Serbisë, si dhe privatizime të egra të pronës publike që kanë varfëruar popullin e Kosovës. Të gjitha këto kanë qenë të udhëhequra nga strukturat kriminale të dy partive PDK dhe LDK, që vazhdimisht kanë udhëhequr vendin, herë njëra e here tjetra.

Së fundi, këto struktura kriminale të personifikuara me triumviratin famëkeq Thaçi- Mustafa-Veseli janë vënë në përpjekje të falin territorin e Kosovës, përmes demarkacionit me Malin e Zi, ku territori ynë zvogëlohet me mbi 8200 hektarë.

Në të njëjtën kohë me përgjimet që po publikohen çdo ditë, përherë e më shumë po bëhet më e qartë thellësia dhe gjerësia e kapjes së shtetit nga kjo bandë kriminale që bën çdo gjë për të mbajtur privilegjet e veta dhe klikës së tyre. Ata interesohen për pasurimin e jashtëligjshëm vetanak, futjen nën kontroll të bordeve të ndërmarrjeve që as emrin nuk ua dinë, mediave, kontrollimin e policisë, prokurorisë e gjyqësisë, rregullimin e statusit të veteranit e deri te pranimi i kandidatëve në studime master. Në një situate të tillë, klani Pronto po vazhdon me ngulm të procedojë më tutje me marrëveshjen e dëmshme të demarkacionit, duke e dëmtuar pariparueshëm sovranitetin e Republikës së Kosovës.

Duke u gjendur para fakteve të përgjithshme të shprehura me peticionin e 205 000 qytetarëve, si dhe këmbëngulësisë së opozitës brenda dhe jashtë parlamentit, ky klan kriminal përmes mediave të kapura ka vazhduar sulmet, kërcënimet dhe shantazhet ndaj popullatës për gjoja izolimin ndërkombëtar të Kosovës.

Në një situatë të tillë, e vetmja mundësi për ta larguar këtë klan kriminal dhe qeveri tradhtare mbeten sheshet e Prishtinës dhe protestat gjithëpopullore. Andaj edhe ne si Qendër e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Suedi, në mënyrë të fuqishme përkrahim protestën e 1 shtatorit në mbrojte të sovranitetit të Republikës dhe kundër klanit Pronto që e ka kapur shtetin.

Ne iu bëjmë thirrje të gjithë mërgimtarëve dhe familjarëve të tyre në Kosovë që të bashkohen në protestën e 1 shtatorit, sepse këtë ua kemi borxh brezave që vijnë pas. Në kohën kur të gjitha institucionet janë kapur, e vetmja mundësi për shkapjen e shtetit mbetet institucioni i protestës gjithëpopullore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat